(VIDEO) Ngecja në Bruksel, Kovaçevski akuzon koalicionin anti-europian të VMRO-së dhe Levicës
Vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE dhe ne nuk po devijojmë nga ai proces, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili edhe mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel. Ai tha se Samiti BE-Ballkani Perëndimor ishte një mundësi e shkëlqyer për të folur në nivelin më të lartë për të ardhmen e përbashkët evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra vendosmërinë dhe vizionin tonë të patundur që Bashkimi Evropian, si më parë, të mbetet partneri më i besueshëm i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Ne si Qeveri, po punojmë shumë për të arritur objektivin tonë strategjik për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Për të siguruar një jetë më të mirë, dinjitoze në shtëpinë tonë me paga dhe pensione më të larta, më shumë para për qytetarët, më shumë vende pune, standarde më të mira jetese, arsim më të mirë, shëndetësi dhe funksionim më të mirë të të gjitha proceseve demokratike dhe ligjore. Të sigurojmë standarde dhe vlera evropiane në vendin tonë “.
Kovaçevski në Bruksel tha se BE-ja nuk do të largohet, dhe pengesa më e madhe në rrugën e integrimit evropian janë, siç e quajti ai, koalicioni prorus i VMRO-DPMNE-së dhe Levicës.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Më duhet të përmend se kjo vizitë pune në Bruksel ka mundur të dukej krejtësisht ndryshe. Ne kishim mundësi të dilnim fitimtarë, të themi me zë të lartë se po vazhdojmë me hapjen e kapitujve të të gjitha grupimeve të negociatave me BE-në dhe se po vazhdojmë rrugën tonë të integrimit europian. Por është konfirmuar se pengesa e vetme për shtetin është koalicioni anti-BE, anti-NATO dhe pro-rus i VMRO DPMNE-SË dhe LEVICËS”
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO DPMNE-së, duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit. Marija Miteva, zëdhëse e VMRO-së tha se Maqedonia e Veriut është e bllokuar sepse në vend të drejtësisë sundon krimi, dhe në vend se prokuroria të jetë e para në luftën për parandalimin e korrupsionit ajo e mbron dhe e zhvillon atë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/