(VIDEO) Nga shpallja e zgjedhjeve antikorrupsioni ka konstatuar 45 shkelje

(VIDEO) Nga shpallja e zgjedhjeve antikorrupsioni ka konstatuar 45 shkelje

Vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative, i cili në disa raste ka përfunduar në favor të komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, na inkurajon dhe na jep shtytje në punën tonë, thotë kryetarja e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, për Radio Europa e Lirë. E pyetur se sa denoncime janë bërë te antikorrupsioni që nga fillimi i fushatës e deri më tani për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe konkretisht çfarë lloj shkeljesh janë, ajo tha se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht parlamentare e deri më sot janë ngritur gjithsej 45 raste në fushën e parandalimit të korrupsionit. Poashtu njoftoi se nga institucionet shtetërore janë pranuar rreth 400 kërkesa lidhur me kërkesën për mendim se çfarë mund të bëjnë apo jo gjatë procesit zgjedhor, gjegjësisht fushatës zgjedhore.

TATJANA DIMITROVSKA KRYETARE E ANTIKORRUPSIONIT

“Nga ky numër 45 raste kanë të bëjnë me ekzistimin e dyshimeve për shkelje të kryera në procesin zgjedhor, 41 raste, përkatësisht kallëzime, të cilat kanë të bëjnë me procedurat e punësimit, dyshimin për punësim, fillimin e procedurës disiplinore, ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Katër raste i referohen ekzistimit, dyshimit për pagesa të jashtëzakonshme të kryera nga institucionet shtetërore. Për mbajtjen e paraqitjeve publike janë dy lëndë”.

Lidhur me procedurat për abuzime të mundshme me automjetet shtetërore Dimitrovska tha se deri në afatin e paraparë të dhëna për automjetet që i shfrytëzojnë kanë dorëzuar 20% e institucioneve.

TATJANA DIMITROVSKA KRYETARE E ANTIKORRUPSIONIT

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi siguruar të dhëna për 1 557 institucione shtetërore. Institucionet që kishin nevojë, pra detyrim për të dhënë të dhëna për automjetet që përdorin, deri në afatin e përcaktuar ligjërisht, që ishte 24 shkurt 2024, kanë paraqitur 402 institucione, që nënkupton diku rreth 20-25% e  institucioneve të kërkuara që kishin detyrim ligjor për të dorëzuar këto të dhëna. Pas afatit të përcaktuar ligjor, kanë paraqitur 88 institucione”.

Dimitrovska tha se nga prokuroria publike janë informuar se për rreth 22 raste të ngritura nga antikorrupsioni është në vazhdim e sipër zbatimi i aktiviteteve, përkatësisht puna në to, që siç tha ajo do të thotë se presin që të kenë një aktgjykim në bazë të një numri më të madh të raporteve të dorëzuara nga Komisioni Shtetëror. “Natyrisht, suksesi ynë do të jetë që secili raport ynë i dorëzuar në Prokurorinë Publike të përfundojë me vendim pozitiv gjyqësor” theksoi ajo.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING