(VIDEO) Nga nesër makaronat 15 % më lirë, produktet e qumështit 10 % më lirë

(VIDEO) Nga nesër makaronat 15 % më lirë, produktet e qumështit 10 % më lirë

Nga nesër çmimi i makaronave do të ulet për 15 për qind, ndërsa çmimet e produkteve të qumështit do të ulen për 10 për qind. Çmimet e këtyrëe produkteve ulen në përputhje me vendimin që sollli qeveria javën e kaluar.

Makaronave dhe spagetave nga 13 marsi I është hequr taksa doganore e importit, vendim ky që do të vlejë deri më 31 maj të këtij viti. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, vetëm me heqjen e taksës doganore çmimi i tyre ulet për 8 deri në 9 denarë mesatarisht në shitje me pakicë. Qeveria pret që ulja të jetë edhe më e madhe. Deri më 31 maj do të jetë në fuqi vendimi për ngrirjen e çmimit të disa produkteve të qumështit si: qumështi i skremuar i lopës me 2,8%, 3,2% dhe 3,5% yndyrë, gjiza, djathë i bardhë i lopës dhe djathi  i përzier,  jogurti, kosi dhe salcë kosi.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi shpreson që nesër, kur është dita e fundit për uljen e çmimeve të produkteve të qumështit dhe makaronave, do të ndodhë edhe ulja e çmimeve. Edhe pse procesi i uljes së çmimit po ecën ngadalë, ai ka theksuar se shteti do të ndërhyjë nëse ulja është më pak se përqindjet e përcaktuara.

FATMIR BYTYQI, ZV/KRYEMINISTËR

“Nëse prodhuesit dhe tregtarët nuk e zbatojnë vendimin ashtu siç duhet, atëherë Qeveria do të marrë masat e nevojshme, që është ngrirja e çmimeve. Është vendimi më i vështirë për një prodhues apo tregtar, por e bëj të qartë se në të gjitha llogaritjet nuk kemi bërë asnjë dëm duke ngrirë çmimet. Prandaj them gjithmonë se në një ekonomi tregu duhet të ketë moral dhe etikë”.

Inspektorati Shtetëror i Tregut njoftoi se do të dalë në terren dhe do të veprojnë menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë. Gjobat për mosrespektim të vendimeve janë nga 800 deri në 10.000 euro, varësisht nga madhësia dhe lloji i operatorit ekonomik.

Qeveria më 28 shkurt të këtij viti e ngriu çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë për 33 denarë. Industria e furrave pas disa ditësh ndërprerje të prodhimit dhe dërgesës, ka nisur sërish shpërndarjen e bukës, por ka njoftuar se do të nisë procedurat ligjore për rikuperimin e dëmit nga vendimi i qeverisë, i cili sipas vlerësimeve të tyre shkon në mbi 1.5 milionë euro në muaj.

Sipas statistikave zyrtare, kostoja e jetesës në shkurt të këtij viti krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar shënoi rritje prej 16.7%, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë u rritën për 12.4%. /SHENJA/

 

MARKETING