(VIDEO) Nebiu: Mickoski po e kthen nacionalizmin, shqiptarët nuk kanë kërkesa megalomane
Shqiptarët nuk kanë kërkesa megalomane. Shqiptarët duan ta kenë vendin e tyre të merituar në shtetin e RMV. Kështu thotë analisti Besim Nebiu, duke komentuar patformën e unifikimit që e shpalosi kryeministri Hristijan Mickoski e përbërë prej 10 pikash, njëra prej të cilave është dhënia fund e kërkesave megalomane etnike.
BESIM NEBIU, ANALIST
“Për mua është pjesë e një retorike nacionaliste për shkak se unë nuk besoj se shqiptarët kanë kërkesa megalomane, e para, e dyta, nuk besoj se kanë edhe kërkesa. Shqiptarët duan ta kenë vendin e vet të merituar në shtetin e RMV –së dhe nuk është kërkesë që maqedonët e kanë e duhet të ia japin shqiptarëve. Kjo është sipas meje një operacion i PR ku kryeministri i drejtohet bazës së vet politike, e cila e dimë se është në një masë të mirë e kondicionuar me retorikë dhe pozicione nacionaliste”.
Ndërsa, thekson se me qeverisjen e re është evidente kthimi i nacionalizmit, me provokimet etnike në rrugë, provokimet e tifozëve e kështu me radhë, të cilat shton se nuk ishin prezente disa vite. Është e qartë se qarqe të caktuara siç thotë se duke përdorur retorikë nacionaliste, populiste krijojnë situata ku acarohen rapotrtet ndëretnike pasi që në RMV dihet se nuk është shumë e vështirë që të acarohen ato raporte.
Edhe pika e fundit e platformës për patriotizëm të përbashkët, Nebiu e sheh thjeshtë si deklaratë jopërmbajtësore.
BESIM NEBIU, ANALIST
“Kjo është edhe një pjesë e platformës zgjedhore, mirëpo unë nuk shoh përmbajtje , nuk shoh esencë, nuk shoh ofertë e cila do të ishte përmbajtësisht reflektim i faktit se Maqerdonia nuk është vetëm e maqedonasve, por është edhe e shqiptarëve. Prandaj e shoh më tepër një deklaratë”.
Se a ka të bëjë kjo platformë me përgatitjen e terrenit për zgjedhje lokale, Besim Nebiu thotë se zgjedhjet janë larg, për momentin opinion dhe politikanët duhet të koncentrohen në çështjet e eurointegrimit, të korrupsionit, të zhvillimit ekonomik dhe se gjithëçka tjetër do të ishte shpërqëndrim nga çështjet e sotme. Emine Ismaili – Luzha /SHENJA/