(VIDEO) Në Kuvend nis debati për rishikimin e buxhetit

(VIDEO) Në Kuvend nis debati për rishikimin e buxhetit

Sot në Kuvend ka nisur diskutimi për ribalancimin e buxhetit për vitin 2024, i cili mund të zgjasë maksimumi tri ditë. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska ribalancimin e buxhetit për vitin 2024 e vlerësoi si përpjekje të Qeverisë së re që deri në fund të vitit të sigurojë likuiditet për përmbushjen e rregullt të të gjitha obligimeve, duke siguruar njëkohësisht funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e projekteve që kanë dinamikën e duhur.

GORDANA DIMITRIESKA KOÇOSKA, MINISTRE E FINANCAVE

Me ribalancimin e propozuar korrigjojmë lëshimet e bëra me Buxhetin fillestar, siç janë fondet e pamjaftueshme të planifikuara për të drejtat që parashikohen me ligj, mjetet për servisimin e detyrimeve të vonuara dhe mjetet për mbështetjen e ekonomisë. Kjo do të thotë të sigurohet pagesa e rregullt e pagave, të cilat do të harmonizohen sipas ligjit në shtator, të sigurohet pagesa e rregullt e pensioneve dhe të realizohet premtimi ynë zgjedhor për rritje lineare të pensioneve në shtator, të shlyhen detyrimet dhe të mos vonohen ato”.

Për ribalancin deputetët parashtruan gjithsej 58 amandamente, një pjesë të tyre i tërhoqën, të tjerët ishin refuzuar. U pranuan vetëm dy amandamente – për pagesë të administratorëve dhe për reklamim politik të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, të cilët i parashtruan deputetët Bojan Stojanoski dhe Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE pak para përfundimit të seancës. 

Me ribalancin janë siguruar 5,1 miliardë denarë shtesë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për shfrytëzuesit e së drejtës për ndihmë minimale të garantuar, 1,7 miliardë denarë për shëndetësi, një miliard denarë për Zonat teknologjike të zhvillimit industrial, 1,7 miliardë denarë për subvencione dhe transfere për mbështetje direkte financiare në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë shtesë për ushqimin e studentëve, si dhe 207 milionë denarë për pagesën e bursave, ndërsa gjashtë miliardë denarë janë ndarë për projekte nëpër komuna.

Me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 318,2 miliardë denarë, shpenzimet në 362,8 miliardë denarë. Rritja e BPV-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 4,9 për qind.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING