(VIDEO) Ndryshimet në kodin zgjedhor, Kuvendi nuk pritet të bëjë tentim të ri për miratimin e ndryshimeve

Kryeparlamentari Afrim Gashi nuk beson se Kuvendi do të bëjë një tentim tjetër për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me të cilat rregullohet çështja e pjesëmarrjes së kandidatëve të pavarur në zgjedhje. Gashi në brifingun për gazetarë bëri me dije se në shtator janë caktuar dy seanca për 2 dhe 12 shtator, në të cilat do të miratohen ligjet që janë në procedurë, që të mund pastaj siç tha, si Kuvend të distancohen nga zgjedhjet.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit
“Nuk besoj se do të ketë një tentim tjetër. Fatkeqësisht kështu do të shkojmë në zgjedhje. Ndoshta mund të ndryshoj diçka këtë javë, por nuk ka pasur propozim nga ndonjë koordinator”.
Ai u pyet se përse kanë caktuar seancë pa siguruar shumicë, sepse janë harxhuar para të qytetarëve, që kjo të përfundojë në një marketing politik.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit
“Kishte një tentim që së bashku t’i sjellim ndryshimet ligjore. Nëse nuk do të thirrnim seancë do të dilte sikur Kuvendi as nuk ka tentuar që t’i sjellë ndryshimet. Deshëm ta shfrytëzojmë edhe shansin e fundit, por edhe institucionet bënin presion, që të vendosej në rend dite. Nuk e bëmë për marketing dhe nuk do hyj në këto konstatimet e juaja”.
Ndërsa rreth asaj se tani kur pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur rregullohet vetëm me rregullore, çdo institucion mund ta kontestoj procesin zgjedhor, Gashi u përgjigj se këtë ia lë Gjykatës Kushtetuese dhe se ai vetëm do t’i respektoj vendimet e saj.
Gashi informoi se për herë të parë Kuvendi ka bërë një deklaratë për zgjedhje fer dhe demokratike, të cilën thotë se ua ka dorëzuar deputetëve, ndërsa pritet ta miratojnë në seancën e 12 shtatorit. Një deklaratë të këtillë partitë politike deri tani e kanë nënshkruar vetëm në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/