(VIDEO) Ndotja e ajrit, LSDM kërkon të shpallet gjendje krize, VMRO thotë se është hipokrizi
Këshilltarët e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, përmes një kërkesë të dorëzuar, kërkojnë shpalljen e gjendjes së krizës ekologjike dhe shëndetësore në Shkup, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet. Këshilltarja Katarina Canevska-Arsovska, në konferencën e sotme për media, tha se kanë dorëzuar edhe një iniciativë për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit, për përcaktimin e konkluzioneve dhe miratimin e masave urgjente. LSDM kërkon të merret një vendim me të cilin ulja e ndotjes të përcaktohet si prioritet i autoriteteve të qytetit.
Katarina Canevska – Arsovska, LSDM
“Në vetë seancën ne do të propozojmë masa: transport publik falas në ditët kur ajri është i ndotur, të kërkohen fonde nga qeveria për filtra falas për oxhaqet e ndotësve të mëdhenj, ridestinim i fondeve për pastrues ajri, të miratohet ndalim për ngrohje me dru dhe qymyr në zonat ku ka ngrohje qendrore të disponueshme. Më tej, pastrimi i deponive ilegale në territorin e Qytetit të Shkupit, larja e rrugëve dhe fonde për projekte ekologjike”.
Nga ana tjetër, VMRO – DPMNE ka reaguar ndaj konferencës së LSDM-së. Nga kjo parti kërkesat e LSDM –së i kanw quajtur hipokrizi pasi sipas tyre, pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do të përmirësojnë cilësinë e ajrit në vend, gjatë kohës kur ishte në pushtet LSDM kishte prioritete të tjera.
VMRO – DPMNE
Për 7 vite mund ta kishin ulur ndotjen e ajrit të paktën për 10%, por prioritet e kishin ndërtimin e ndërtesave, ashtu siç donin që në Gjorçe, në Hrom, të ndërtoheshin 100 ndërtesa në vitin 2020, dhe po ashtu në Rasadnik edhe 100 ndërtesa në të njëjtën periudhë, në vitin 2020. Për ta përmbledhur, nëse LSDM vërtet do të donte, mund të kishte ndërmarrë diçka.
Nga VMRO më tej kanë shtuar se kanë ndërmarrë hapa për ballafaqim me ajrin e ndotur, duke përmendur këtu subvencione për klima inverter, pastrues ajri nëpër çerdhet e Shkupit, gazifikimi i vendit e të tjera.
Teuta Buçi /SHENJA/

