(VIDEO) Mucunski: Maqedonia kërkon rrugë evropiane pa kërkesa shtesë
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, para fillimit të samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Sofje, ka deklaruar se për aspektin dypalësh mes Sofjes dhe Shkupit, interesi i përbashkët i të dy vendeve është të ecin përpara në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Sipas Mucunskit, të dy vendet kanë shumë për të fituar nga ky proces.
TIMCO MUCUNSKI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME TË RMV-së
“Dua t’ju siguroj se kemi qëllimet më pozitive për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes dhe politikës së sigurisë, në ekonomi dhe në arsim. Personalisht, si profesor universitar, kam marrë pjesë në konferenca të panumërta ndërkombëtare në Sofje. Prandaj besoj se të gjitha këto ngjarje të viteve të fundit i kanë ndarë artificialisht popujt e dy vendeve”.
Mucunski theksoi se ajo që është e rëndësishme është të shohin drejt së ardhmes dhe të mos përqendrohen te çështjet e së kaluarës, sipas tij çështje që lidhen me identitetin, historinë dhe gjuhën, sepse kemi një të ardhme që duhet të na bashkojë tha Mucunski. Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se identitetet e forta nuk duhet të ndërtohen përmes sulmeve ndaj identiteteve të të tjerëve, sepse sic tha ai kemi kapacitetin t’i kapërcejmë dallimet tona, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të mos mbetemi të lidhur pas çështjeve që kanë të bëjnë me historinë, identitetin dhe gjuhën.
TIMCO MUCUNKSI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME TË RMV-së
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të arrijmë në fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit, por edhe t’i përmbyllim ato me sukses. Për ta arritur këtë, çfarë është e rëndësishme për ne? Të dimë se nuk do të ketë kërkesa shtesë ndaj vendit tonë që lidhen me historinë, identitetin dhe gjuhën, si dhe çështje të tjera dypalëshe që mund të shfaqen pas fillimit të negociatave – çështje që lidhen me komisionet historike, të cilat nuk janë çështje themelore evropiane”.
Sipas Mucunskit, përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, nuk ka sfidë që nuk mund të zgjidhet, nëse ekziston vullneti dhe nëse të gjitha palët janë të përkushtuara ndaj idesë evropiane. /SHENJA/

