(VIDEO) Mucunski: E nevojshme të largohemi nga bilateralizmi i kritereve të anëtarësimit

(VIDEO) Mucunski: E nevojshme të largohemi nga bilateralizmi i kritereve të anëtarësimit

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski i ka deklaruar para mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, zgjerimi është imperativ si për BE-në ashtu edhe për vendet kandidate, duke nënvizuar se bëhet fjalë për atë që Ballkani Perëndimor të pushojë së qeni “zonë gri” e Evropës dhe të krijohet një grup shtetesh me rrugë të qartë dhe kredibile drejt anëtarësimit.

Ai theksoi se shteti ka arritur rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës së Reformave, veçanërisht në muajt e fundit, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është 100 për qind e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm 

“Mesazhi ynë për vendet anëtare është shumëdimensional. Është e nevojshme të largohemi nga bilateralizimi i kritereve të anëtarësimit, por edhe të forcohet angazhimi për çështje që shkojnë përtej vetë procesit të zgjerimit, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë, sigurisë energjetike, sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit”.

Ndërkaq, eurokomesarja për Zgjerim, Marta Kos tha se zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evopian dhe se në Union ka vend për të gjtihë vendet e Ballkanit Perëndimor. por, ajo ka bërë të qartë se, suksesi i vendeve të Ballkanit Perëndimor varet nga reformat e zbatuara në vendet kandidate.

Marta Kos, eurokomesare për zgjerim

“Nëse kandidatet tona kanë rezultate do të kemi edhe ne. Ne tashmë i kemi. Për herë të parë pas 17 vitesh kemi formuar grup punues për anëtarësimin e një shteti të ri, ndërsa ai është Mali i Zi. Përkrah kësaj, “Eurobarometri” i fundit tregoi me të vërtetë përcaktim të lartë të njerëzve të Malit të Zi të bëhen anëtare e BE-së”.

Siç informoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në kuadër të agjendës së Këshillit do të diskutohet për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, ku bisedimet do të përqendrohen në çështjet aktuale të politikës së jashtme dhe të sigurisë me interes të përbashkët, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, agresionin rus ndaj Ukrainës, si dhe pasojat më të gjera rajonale të zhvillimeve aktuale globale.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING