(VIDEO) MPB: Nuk e devijuam ne autobusin e studentëve, tre të arrestuarit e protestës ende janë në burg
Ministria e Punëve të Brendshme distancohet dhe nuk mban përgjegjësi për faktin se dje studentëve shqiptarë të nisur nga Tirana ju devijua rruga dhe nuk përfunduan në Shkup për ku ishin nisur për të protestuar por përfunduan në rrugët e Kumanovës.
Nga MPB-ja për TV Shenja thonë se ata nuk kanë marrë masa penguese ose për të kufizuar lëvizjen e personave që kanë hyrë në Maqedoni.
Ata shtojnë se përgjegjësi për këtë duhet të kërkojmë në institucionet tjera përgjegjëse, pa treguar se ku konkret duhet të drejtohemi.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Policia Kufitare ka lejuar hyrjen në Maqedoninë e Veriut . MPB-ja nuk ka ndërmarrë asnjë masë për rikahëzim ose kufizim të lëvizjes së personave dhe autobusit pas hyrjes së tyre në shtetin tonë. Për informacione shtesë lidhur me lëvizjen dhe organizimin e transportit pas hyrje në shtet, duhet të drejtoheni tek institucionet tjera kompetente”.
Nga MPB-ja kanë dhënë detaje edhe për arrestimin e studentëve pas përleshjes fizike të ndodhur gjatë protestës.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Para fillimit të protestës pranë Ministrisë së Drejtësisë, zyrtarët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme Shkup kanë privuar nga liria, 28 vjeçarin me iniciale B.XH, 27 vjeçarin me iniciale R.A dhe 22 vjeçarin me iniciale S.D, të gjithë nga Shkupi, për shkak se kanë prishur rendin dhe qetësinë publike duke u përleshur mes vete. Ata po mbahen në një stacion policor dhe pasi rasti të dokumentohet plotësisht, kundër tyre do të ngrihet një padi përkatëse”.
Ndryshe, dje në Shkup mijëra student dhe qytetarë nga qytete të ndryshme nga vendi, por edhe nga Tirana dhe Prishtina protestuan duke kërkuar respektimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve po edhe për të kërkuar që provimi i jurisprudencës të jetë në gjuhën shqipe.
Mevludin Imeri /SHENJA/

