(VIDEO) MPB arrestoi dy kosovarë që kontrabandonin emigrantë nga Kina

Rruga Shkup-Bllacë, një rrugë që zakonisht është e qetë dhe e frekuentuar nga qytetarët në udhëtimet e tyre të përditshme, mbrëmë u pushtua nga sirenat e policisë, ku u zhvillua një aksion plot tension që i ngjante skenave policore në filma. Në këtë aksion Policia e Maqedonisë së Veriut i’u vu në ndjekje, transportuesve ilegal të emigrantëve. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se dy shtetas të Kosovës me inicialet G.L 24 vjeç dhe B.L 18 vjeç, u kapën me 8 emigrantë nga Republika Popullore e Kinës të cilët i transportonin emigrantët me veturë “VW Caddy”.
Ajo që pasoi ishte një seri përplasjesh, barriera të thyera, vetura të dëmtuara dhe plumba paralajmërues, tentim arratisjeje, përleshje me policinë dhe në fund, ndalim..
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Gjatë ndjekjes nga patrullat policore, drejtuesi i automjetit dëmtoi stacionin e pagesës në Gradsko, ndërsa në Katllanovë u përplas me një veturë ‘Opel Insignia’ me targa të huaja, si dhe shkaktoi dëme në një motoçikletë me targa të Maqedonisë. Më pas, ai dëmtoi edhe traun në pikën e pagesës në Petrovec. Pasi vazhdoi lëvizjen, tek nyja e rrugës drejt Prishtinës, në unazën e Shkupit, drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti doli nga rruga”.
Ministria e punëve të brendshme sqaron se më pas drejtuesi i automjetit ka sulmuar fizikisht një polic në tentativë për t’u arratisur, por, siç sqarojnë nga MPB, ai u neutralizua dhe u ndalua.
Gjatë përpjekjeve për të ndalur automjetin, policia qëlloi me plumba paralajmërues, por fatmirësisht askush nuk u lëndua. Të dy personat u ndaluan në stacionin policor, ndërsa emigrantët u vendosën në një qendër transiti. MPB informoi se pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngre padi përkatëse.
Anida Murati /SHENJA/