(VIDEO) Mjekët e Pulmologjisë kërkojnë ligje më të rrepta kundër pirjes së duhanit
Mjekët nga Klinika e Pulmologjisë dhe anëtarët e Shoqatës Respiratore të Maqedonisë së Veriut, bëjnë apel për një ligj më të rreptë për mbrojtje nga pirja e duhanit. Ata kanë marrë ktë vendim, sepse sipas statistikave të fundit, 45% e popullsisë në vend konsumojnë cigare. Mjekët i bënë këto paele në konferencën e sotme për shtyp për nder të 20 Nëntorit, Ditës Botërore të Sëmundjeve Kronike Obstruktive të Mushkërive (SPOK), ku u theksua se duhani është faktori kryesor i rrezikut për këtë sëmundje. Mjekja Marija Zdravevska ka bërë thirrje që të ndërmeren hapa serioz për rivendosjen e ligjit të duhanit.
Dr Marija Zdravevska, mjeke
“Ne po bëjmë thirrje që të ndërmerren hapa seriozë për rivendosjen e Ligjit të Duhanit sepse në vendin tonë jo vetëm duhanpirësit janë përgjegjës për jetën e tyre, por janë përgjegjës edhe për jetën e njerëzve të tjerë që nuk pinë duhan, sidomos të fëmijëve të vegjël. Apelojmë edhe si Klinikë edhe si Shoqatë Respiratore Maqedonase që të shtohet ashpërsia dhe në fund të ndalohet jo vetëm përdorimi i duhanit, por edhe përdorimi i të gjitha llojeve të cigareve elektronike”.
Ndërkaq, edhe drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, mjeku Oliver Zafirovski, tha se sipas statistikave të reja, nëse duhanpirësi e lë duhanin sot, do t’ia zgjatë jetën për 10 deri në 20 vjet.
Oliver Zafirovski, mjek dhe Drejtor i Klinikës së Pulmologjisë
“Ne jemi liderë në Ballkan dhe kjo përqindje është shumë e lartë. Sipas testeve të fundit të 600 substancave toksike, 70 janë drejtpërdrejt kancerogjene dhe janë shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive. Ajo gjithashtu ndikon në funksionin e mushkërive te njerëzit që kanë COPD. Për të duhet bërë fushatë, është një varësi dhe duhet trajtuar. Kufiri është shumë i ulët, edhe nën 10 vjet. Pirja e duhanit është vetëm fillimi, pasuar nga konsumimi i alkoolit dhe drogës”.
Kujtojmë që në mars të vitit 2018, me propozim të deputetëve të LSDM-së, në Kuvend u votuan amendamentet me të cilat lejohet pirja e duhanit në tarraca, kopshte dhe platforma jashtë objekteve hotelierike dhe kur ato janë të mbyllura për shkak të kushteve atmosferike. Me Ligjin fillestar, të miratuar nga autoritetet e VMRO-DPMNE-së, tarracat nuk lejoheshin të mbylleshin plotësisht, gjegjësisht me xham, por duhej të hapeshin nga njëra anë.
Anida Murati /SHENJA/