(VIDEO) Miratimi i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve – Bilalli: Qeveria jolegjitime shkeli kushtetutën

Pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të martën ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve me 65 vota “pro” dhe 17 “kundër”,ka reagur sot partia opozitare shqiptare BDI. Arta Bilali Zendeli nga kjo parti, tha se Qeveria ka shkelur jo vetëm Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për Gjuhët. Sipas saj, gjuha shqipe është një e drejtë e pacenueshme dhe nuk mund të trajtohet si një opsion që jepet sipas kërkesës.
ARTA BILALLI-ZENDELI, BDI
“Miratimi i ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, ku përcaktohet që licencat të lëshohen në gjuhën shqipe vetëm me kërkesën e përfituesit, është një akt që minimizon rëndësinë e gjuhës shqipe, duke e reduktuar nga gjuhë zyrtare dhe detyruese në një mundësi të kërkuar, duke shkelur me dy këmbë të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet. Ky vendim është një hap prapa dhe një dështim tërësor për të respektuar standardet e barazisë dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligje ndërkombëtare”.
Ky ndryshim i ligjit shtoi Zendeli, është një akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e marrëdhënieve interetnike dhe përmbushjen e premtimeve të bëra për të siguruar një shoqëri të barabartë. Integristët kërkojnë nga Qeveria të korrigjojë menjëherë këtë siç thonë, gabim dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Kujtojmë se këtë ligj presidentja Gordana Siljanovska Davkova nuk e dekretoi për shkak së aty përmendej gjuha shqipe. Në këtë proces, 12 deputetë kanë votuar me Badenter, duke u ndarë në 6 “pro” dhe 6 “kundër”.
Samir Mustafa /SHENJA/