(VIDEO) Ministri i Shëndetësisë: Uji në Gostivar ende nuk është i sigurt as për përdorim teknik
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës në Spiatalin Special për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozin në Leshkë të Tetovës bëri të ditur se situata me helmimin nga uji në Gostivar po përmirësohet dhe se kriza ka hyrë në një fazë qetësimi. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore është ulur ndjeshëm. Gjatë ditës janë regjistruar 80 raste të reja, që është rreth dy herë më pak krahasuar me ditët paraprake, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve arrin rreth 4 mijë persona. Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente tashmë kanë nisur një analizë të plotë epidemiologjike, me qëllim përcaktimin e saktë të zhvillimit të situatës dhe ndarjen e rasteve të shkaktuara nga epidemia prej rasteve të zakonshme të gastroenteritit. Megjithëse numri i pacientëve është në rënie, uji nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit ende nuk lejohet të përdoret as për qëllime teknike, pasi analizat e fundit kanë treguar nivel të pamjaftueshëm të klorit.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Siguria e ujit vlerësohet edhe përmes sasisë së klorit që përmban ai, por ende nuk është arritur niveli i kërkuar. Aktualisht po kryhen analiza të vazhdueshme në disa pika të ndryshme dhe, sapo klorinimi të arrijë nivelin e duhur, do të jepet leja për përdorimin e ujit teknik”.
Duke iu referuar informacioneve se edhe uji në Leshkë është i papërshtatshëm për konsum dhe nuk duhet të pihet, Klekovski tha se kjo situatë nuk është e re dhe nuk është mbajtur e fshehtë. Sipas tij, problemi në këtë zonë vazhdon prej më shumë se një dekade.
SASHO KLEKOVSKI ,MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Gjatë kësaj jave pritet të kryhen dy testime për të vërtetuar se uji nga ujësjellësi nuk do të jetë më vetëm për përdorim teknik, por do të jetë i përshtatshëm edhe për pije, si për spitalin ashtu edhe për të gjithë banorët e zonës”.
Ndërkohë, ditët e fundit nga opozitarja LSDM kanë deklaruar se rasti i Gostivarit nuk është një rast i izoluar, por pasqyron dobësi sistemore dhe mungesë efikasiteti të institucioneve. Duke u thirrur në një raport të siguruar nga sinjalizues, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se uji në Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka qenë i ndotur. Ai kërkoi kontroll të jashtëzakonshëm urgjent dhe analiza të të gjitha sistemeve të furnizimit me ujë në vend. /SHENJA/

