(VIDEO) Minçev: Nuk është me rëndësi kur miratohet ligji për balancuesin, por të jetë cilësor
Propozimligji për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në administratën shtetërore të përpilohet nga ekspertë të kushtetueses, propozon ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Ai tha se, veç më ekziston një grup i tillë i punës në Qeveri, që po punon në përpilimin e ligjit. Minçev vlerëson se, nuk është e rëndësishme se kur do të miratohet ky ligj, por thotë se ai duhet të jetë përmbajtësor dhe cilësor. Ndërkaq, para se të miratohet, sipas ministrit, propozim ligji do të dërgohet në Komisionin e Venedikut për vlerësim dhe pasi të merr vlerësim pozitiv, të fillojë procesi i miratimit të tij në Kuvend.
Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike
“Përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike është kategori kushtetuese, e cila del nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Në kuadër të asaj zgjidhje të posaçme ligjore, qëndrimi im ishte që ajo të bëhet në mënyrë solide dhe të mos jetë objekt i partive dhe politikave, sepse zgjidhjet e tilla ligjore na sjellin cila situata si zgjidhja e kaluar ligjore, e cila ishte objekt vlerësimi i Gjykatës Kushtetutese. Kur të ketë një draft propozim ligj të tillë, ai duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut, të marrim mendim pozitiv dhe më pas të fillojmë procesin e miratimit të atij ligji”.
Ai përsëriti se mekanizmi i balancuesit është keqpërdorur, duke shtuar se para futjes së këtij mekanizmi, ka pasur më shumë punësime të bashkësive etnike.
Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike
“Po ngrihet shumë pluhur për heqjen e balancuesit, por të dhënat statistikore thonë si më poshtë – Nga viti 2001 deri në vitin 2015 nuk ka pasur balancues si mekanizëm digjital për përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike dhe nga viti 2015 është futur dhe ka zgjatur deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e tij, në vitin 2024. Është interesant të theksohet se gjatë kësaj periudhe, kur nuk ekzistonte balancuesi, ka pasur një numër më të madh të punësimeve të komuniteteve etnike sesa në kohën kur është futur”.
Ministri paralajmëroi reforma në administratën shtetërore dhe tha se ministria ka përpiluar propozim zgjidhjet ligjore. Në kuadër të këtyre reformave, ai paralajmëroi se, do të shfuqizojë Këshillin Inspektues dhe me këtë shteti do të kursej 255 mijë euro në vit. Ky këshill ka 11 të punësuar që sipas ministrit, nuk do të mbesin pa punë, por do të transferohen në Ministrinë e Administratës, por shtatë anëtarët e Këshillin Inspektues, që kanë marrë nga 2000 deri më 2500 euro do të mbesin pa angazhim.
Teuta Buçi /SHENJA/