(VIDEO) Mihajllova në Bullgari, prokuroria kërkon paraburgim

(VIDEO) Mihajllova në Bullgari, prokuroria kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Iva Mihajllovës, pasi siç bëri të ditur, këtë mëngjes është njoftuar nga Gjykata Themelore e Koçanit se e akuzuara nuk është gjetur në adresën e banimit dhe nuk e ka përmbushur detyrimin për t’u paraqitur në polici. Nga Prokuroria kanë deklaruar se njoftimin e kanë marrë këtë mëngjes dhe se kanë reaguar pa vonesë, duke i paraqitur gjykatës propozim për caktimin e një mase më të rreptë për të siguruar praninë e të akuzuarës.

MARKETING

Shik.mk

PROKURORIA THEMELORE-KOÇAN

“Prokuroria është njoftuar nga gjykata këtë mëngjes dhe menjëherë gjykatës i është dorëzuar propozimi për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata ka mundësi të veprojë sipas detyrës zyrtare, pa pritur propozim nga prokurori publik”.

Reagimet për ikjen e Mihajllovës kanë vazhduar edhe ditën e sotme. Nga LSDM kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski dhe përgjegjësi për të gjithë ata që e kanë ndihmuar Mihajllovën. Keti Shterjova nga kjo parti tha se qytetarët po e shohin se për çfarë është dakorduar prapa dyerve të mbyllura pasi Mucunski ishte në Sofje.

KETI SHTERJOVA, LSDM

“Kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë ata që e lejuan Iva Mihaillovën të largohej. Së pari, përgjegjësi politike duhet të mbajë ministri Pançe Toshkovski. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme. Kufiri është si sitë, si për kriminelët, ashtu edhe për personat që i shmangen drejtësisë. Qytetarët po e shohin se çfarë është dakorduar prapa dyerve të mbyllura dhe ‘nën radar’ pasi Mucunski ishte në Sofje”.

Reagime ka edhe nga partitë e tjera të vendit, organizata dhe institucione të tjera. Nga nisma „Biseda për të ardhmen në orën 12:05“ kanë kërkuar dorëheqje të parevokueshme të ministrave, të Punëve të Brendshme, Punëve të Jashtme dhe Drejtësisë duke vlerësuar se ky rast është një tjetër dëshmi e mangësive serioze siç thanë ata në funksionimin e institucioneve shtetërore.

Reagime lidhur me rastin ka pasur edhe nga Bullgaria fqinje. Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev për mediat bullgare ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk ka arsye të ankohet pranë institucioneve evropiane lidhur me rastin e Iva Mihajllovës. Ai madje ka bërë të ditur se për rastin e ka njoftuar edhe kryetaren e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen.

ANDREJ KOVAÇEV, EURODEPUTET BULLGAR

“Pikërisht tani, në takimin i cili po mbahet në Itali, e informova kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen për situatën dhe konsideroj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet ndaj Bullgarisë. Çfarë ka bërë konkretisht Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë.”

Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë sot kanë deklaruar se nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht për veprimet e Iva Mihajlovës, familjes së saj dhe avokatit të saj. Ata thanë se avokati kishte kontaktuar Ministrinë pak para se të deklarohej për mediumet bullgare.

Mihajllova ditën e djeshme u shfaq në mediat bullgare dhe deklaroi se ndodhet në Bullgari, ndonëse ndaj saj në RMV zhvillohet proces gjyqësor për një aksident të rëndë trafiku në tetor të vitit të kaluar, në të cilin humbi jetën një person, ndërsa disa të tjerë u lënduan, mes tyre edhe vetë Mihajllova. Gjykata kishte caktuar ndaj saj edhe masa kujdesi, përkatësisht marrjen e dokumenteve të udhëtimit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING