(VIDEO) Mickoski thotë se është i gatshëm të shkojnë në zgjedhje parlamentare, reagojnë partitë
“Nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne sigurisht që do ti përgjigjemi pozitivisht dhe natyrisht që do ti fitojmë”, kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Mickoski e sfidoi hapur opozitën, duke sinjalizuar se pushteti nuk i frikësohet një përballjeje të re elektorale dhe se, nëse do të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, koalicioni qeverisës pret një tjetër fitore.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ne si koalicion kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për të qenë qeveri për katër vjet. Por, nëse opozita mendon se nevojiten zgjedhje të parakohshme, natyrisht se ne nuk do të sillemi si frikacakë dhe të qëndrojmë anash, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe natyrisht, do t’i fitojmë“.
Deklarata e Mickoskit nxiti reagime të menjëhershme nga opozita. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se LSDM është gati për zgjedhje kurdo që ato të shpallen, me ekip, program dhe Plan të ri për vendin ,dhe se siç thotë ai nuk do të jenë alibi për Mickoskin për zgjedhje.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Jo, nuk do të jemi alibi. Do të ketë zgjedhje kur të mbarojnë paratë për tendera të korruptuar. Kjo është ajo që u intereson atyre, asgjë tjetër. Ne jemi sigurisht gati, po përgatitemi çdo ditë. Nëse më pyetni nëse jemi gati, jemi gati me një ekip, jemi gati me një program të mirë.”
Nga BDI kanë kërkuar që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim.
BDI
“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit.Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike.Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme”.
Edhe nga ASH në reagimin e tyre thanë se janë të gatshëm që sot të ulen dhe ta caktojnë datën e zgjedhjeve. Ata theksojnë se nuk ka nevojë për taktizime, prolongime apo kalkulime politike.
Ndërkaq, nga VLEN kanë theksuar se, për ta prioritet janë projektet infrastrukturore.
VLEN
“Për VLEN-in është e rëndësishme që të sigurojmë vazhdimin e ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë që fillon për disa ditë dhe ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren, që po punohet intensivisht. Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”.
Në këtë përplasje të re mes pushtetit dhe opozitës, mbetet e hapur mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pushteti thotë se është i gatshëm të përballet sërish me vullnetin e qytetarëve, ndërsa opozita kërkon që kjo gatishmëri të dëshmohet me veprim konkret.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

