(VIDEO) Mickoski: Të ardhmen e kemi në Europë, por jo të lëshojmë pe
Kushdo që më njeh mirë, e di se kurrë nuk do të bëj pazar me identitetin tonë, me dinjitetin tonë, në këmbim të çfarëdo përfitimi personal apo politik, siç ka ndodhur në historinë tonë të afërt, porositi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fjalimit të tij në ceremoni solemne me rastin e Ditës së Evropës. Ai tha se, Evropën nuk e sheh vetëm si gjeografi, por si besim në dinjitetin njerëzor, në demokraci, në sundimin e ligjit, në respektimin e dallimeve dhe në të drejtën që çdo popull të ecë lirshëm në rrugën e vet. Ai shtoi gjithashtu se duhet të bisedohet për zgjidhje të qëndrueshme, me të cilat mund të ecim përpara, e jo për zgjidhje që do t’u lënë barrë të madhe brezave tanë të ardhshëm.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Atdheu ynë nuk ka të ardhme tjetër dhe as shans për sukses, përveç integrimit në Bashkimi Evropian. Por, njëkohësisht, të mos mashtrohemi – ekziston edhe përvoja e hidhur nga shumë dorëzime, pengesa dhe mosmarrëveshje të paarsyeshme në këtë rrugëtim tonin. Kjo frustron fuqishëm dhe thellë, kur parimet shkelen pikërisht mbi shpinën e atyre që kërkojnë parime dhe një mundësi të drejtë. Po aq dekurajuese është edhe indiferenca e shumë shteteve më të mëdha ndaj këtyre episodeve të padrejta ndaj popullit dhe shtetit tonë”.
Euroambasadori Mihalis Rokas tha se, kjo është një ditë, theksoi ai, kur duhet të nënvizohet edhe rëndësia strategjike e zgjerimit të Bashkimit Evropian, për të siguruar paqe afatgjatë, prosperitet dhe siguri në kontinent.
Mihalis Rokas, euroambasador
“BE e zgjeruar do të thotë rezistencë më e madhe gjeopolitike, pavarësi më e fortë energjetike, siguri e përmirësuar, por edhe peshë më e madhe e vlerave tona të përbashkëta në konfliktet e trazuara. Kjo është dita kur duhet të kujtojmë se vendosmëria e bëri Evropën t’i mbijetojë kohëve të trazuara dhe këtë e kemi bërë për dekada dhe po e bëjmë edhe tani”.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar qytetarët për 9 majin duke thënë se, në kushtet e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive globale, perspektiva evropiane mbetet garancia më e fortë për një të ardhme të sigurt dhe demokratike për qytetarët.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm proces politik, por edhe investim strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së integrimit evropian, përmes reformave, dialogut dhe fqinjësisë së mirë, duke e parë këtë proces si pjesë të natyrshme të së ardhmes së saj”.
Këtë vit, Qeveria e ka zgjeruar shënimin e Ditës së Evropës me fushatën “Maji – muaji i Evropës”, në kuadër të së cilës do të promovohet procesi i integrimit evropian dhe afrimi i tij me qytetarët. Gjithashtu do të organizohen aktivitete dhe do të prezantohen histori të suksesshme nga projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, të cilat tashmë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Teuta Buçi /SHENJA/

