(VIDEO) Mickoski: “Reformat në gjyqësor” janë për rritje të pagave jo për ndryshime thelbësore
“Sa i përket Ljupço Kocevskit, prisni dhe do të shihni”. Kaq të shkurt e kishte komentin kryeministri për prokurorin publik shtetëror, për të cilin pati paralajmëruar se do ta shkarkoj pas zgjedhjeve lokale.
Ndërsa sa i takon reformave në gjyqësor, për të cilat kishte kritika edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, kryeministri qartazi shprehet se nuk e ka ndërmend t’i bëjë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“E di që do të më sulmojnë, por morali im nuk më lejon që të pajtohem për rritjen e pagave të atyre njerëzve që nuk kanë aspak rejting. Nëse kjo është reforma kyçe, më falni, por nuk do ta pranoj. Nuk mund të ndajmë më shumë para se sa vendet më të zhvilluara në Evropë, për financimin e gjykatave. Nuk mund ta bëjmë. Opinioni duhet ta dijë se reformat në ato ligje janë për paga më të larta, jo për ndryshime thelbësore”.
Situata do të mbetet e pandryshueshme edhe në rrugën e saj drejt BE-së. Mickoski thotë se sa është ai kryeministër nuk do të lejoj të bëhen ndryshime tjera sepse e kaluara ka treguar se edhe kur vendi e ndërroi emrin RMV nuk hyri në BE.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Para 8 vitesh, kur ndërruam emra e mbiemra, na thonin se nëse i ndërronim, për 3-4 vite do të ishim në BE. Ato 3-4 vite kaluan dhe ja ku jemi, ku ishim para 25 vitesh. Në rregull, nëse e ndërrojmë Kushtetutën, nëse mundet edhe të mos jemi maqedonas, të jemi diçka tjetër, do të jemi më të mirët. Ashtu siç po na bënë dikush bulling dhe dëshiron ta ndaloj Maqedoninë, të përparoj drejtë BE-së. Këtë nuk do ta lejojmë, derisa jam unë kryeministër”.
Kurse për ndryshimet në Kodin Penal, kryeministri tha se ato do t’i vendosin në procedurë parlamentare më së voni deri në Vitin e Ri, për të mos lejuar gjykatën siç u shpreh ai që të bëjë amnisti kolektive dhe që kriminelët të dalin nga burgjet.
Emine Ismaili /SHENJA/

