(VIDEO) Mickoski: Provimi i jurisprudencës mund të bëhet edhe në gjuhën shqipe
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk sheh problem që provimi i jurisprodencës të kalohet në gjuhën shqipe. Madje ai thotë se Ligji i Gjuhëve është i qartë dhe kjo duhet të ju lejohet studentëve që e kërkojnë një gjë të tillë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Nuk shoh këtu asnjë problem përse të mos kalohet…..Ligji i Gjuhëve është i qartë. Nëse dikush dëshiron që provimin ta jap në gjuhën shqipe, kjo duhet t’i lejohet”.
Pas deklaratës së kryeministrit ka reaguar nënkryetari i BDI –së Bujar Osmani.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI
“Pasi kryeministri konfirmoi sot se me ligj provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe, një gjë është e qartë: Ministri i Drejtësisë duhet të japë menjëherë dorëheqje. Ndërsa për përfaqësuesit e VLEN-it: më mirë të mos shihen askund për një kohë”.
Qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë bie ndesh me deklaratën e kryeministrit.
Ministria e Drejtësisë ditë më parë refuzoi kërkesën e studentëve shqiptarë të cilët kërkonin që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata refuzimin e bazonin në arsyetimin se një kërkesë e këtillë sipas tyre është në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Rreth 385 studentë shqiptarë përmes një peticioni kërkuan që ky provim të mbahet në gjuhën shqipe. Ministria e Drejtësisë kërkesën e tyre e cilësoi si anti-kushtetuese dhe thanë se për tu bërë pjesë e sistemit të drejtësisë një jurist i diplomuar duhet me patjetër ta njohë gjuhën maqedonase dhe alfabetin e sajë cirilik. Pas kësaj përgjigje, pati edhe disa reagime në opinion si nga ekspertët e fushës ashtu edhe nga përfaqësues qeveritarë dhe të institucioneve.
Emine Ismaili /SHENJA/

