(VIDEO) Mickoski: Nuk ka vendim për parkingun në Qendrën Klinike

Kryeministri Hristijan Mickoski ka thënë sot se, Qeveria nuk ka sjellë vendim se cila kompani do të menaxhojë me parkingun në Qendrën Klinike Shkup. Ai tha se, informatat se kompania nga Shqipëria “Gjoka construction” është kompania e zgjedhur, janë trillim që të sulmohet qeveria. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se gjatë zgjedhjes së një kompanie që do të ndërtojë dhe menaxhojë parkingun në Qendrën Klinike në Shkup përmes partneritetit publiko-privat, do të merret parasysh kredibiliteti dhe besueshmëria e kompanisë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Nëse jeni duke kërkuar një mënyrë për të sulmuar Qeverinë për diçka që nuk ka ndodhur, atëherë ne mund t’i shpikim gjërat, por unë po ju them që një vendim të tillë nuk e ka marrë Qeveria. Dhe çfarë do të kemi parasysh? Dokumentacioni i tenderit merret parasysh dhe kuptohet që nuk do të zgjidhet një kompani që nuk ka kredibilitet, besueshmëri dhe karakteristika teknike të mira dhe këtu përfundon gjithçka. Të jeni të sigurt se e kuptoj që ka nevojë për sensacion, sulm ndaj Qeverisë etj., por kjo Qeveri funksionon ndryshe nga dikur, pra vendimet që merr kjo Qeveri janë ekskluzivisht në interes të publikut”.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se marrëveshja me kompaninë “Gjoka konstrakshën” do të nënshkruhet nëse pas procedurës fillestare të kaluar kalon edhe disa filtra. Ai tha se, është i gatshëm edhe ta anulojë tenderin, nëse publikut nuk i pëlqen oferta dhe ka informacione nga Qeveria për lëshime.
Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë
“Nuk është nënshkruar. Parkingu në Qendrën Klinike gjithmonë bën shumë nervozë. Nëse për ofertën, ja dëgjoj, gjithnjë për mua është shumë me rëndësi çka do të thotë publiku, nëse më thonë se diçka nuk është në rregull, është lëshuar edhe në Qeveri, nëse edhe aty më thonë se ka lëshime të caktuara, nuk do të kemi asgjë. Do ta anulojmë, do të publikojmë të ri, por vetëm do të humbim një vit”.
Taravari kishte konfirmuar paraprakisht për BIRN se kompania shqiptare “Gjoka Construction” do të menaxhojë parkingun në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” me partneritet publik-privat. Ndërsa sot në konferencë për media, ai tha se, në tender ka kusht për ofertuesin që ta shfrytëzojë parkingun derisa në atë lokacion është Qendra Klinike dhe kjo, sipas tij, nuk do të jetë më shumë se shtatë deri 10 vjet. Çmimi i ofruar për parkim është 50 denarë për një orë.
Teuta Buçi /SHENJA/