(VIDEO) Mickoski: Ngecëm edhe pse kemi bërë lëshime në emër të perspektivës evropiane
Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se procesi duhet të bazohet në reforma dhe merita, në vend të hapjes së vazhdueshme të çështjeve të reja bilaterale, kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij para Këshillit Atlantik, në kuadër të vizitës të tij në Uashington.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Maqedonia për më shumë se dy dekada ndodhet në rrugën evropiane dhe se gjatë periudhës së kaluar shteti dhe qytetarët kanë bërë një sërë lëshimesh në emër të perspektivës evropiane. Pakënaqësia e qytetarëve buron nga fakti se, pavarësisht hapave të ndërmarrë, shteti sërish përballet me kushte shtesë. Është e nevojshme parashikueshmëria e procesit dhe garancia se nuk do të hapen vazhdimisht kushte të reja bilaterale”.
Kryeministri theksoi se, deri sa Qeveria kërkon zgjidhje për rrugën evropiane, Maqedonia nuk do të qëndrojë në vend, por do të vazhdojë ta zhvillojë ekonominë, të zbatojë reformat, të forcojë sundimin e ligjit, të tërheqë investime të huaja direkte dhe të investojë në industrinë e teknologjisë së avancuar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Qeveria do të vazhdojë të bisedojë me partnerët evropianë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sfidat me të cilat përballet vendi dhe se Maqedonia nuk do të izolohet apo të tërhiqet nga bisedimet. Përcaktimi strategjik, mbetet i qartë, thellimi i aleancës dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”.
Siç bënë të ditur nga qeveria, mesazhi i Mickoskit nga Uashingtoni është se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i zhvillojë bisedimet për të ardhmen e saj evropiane, por njëkohësisht do të punojë në zhvillimin e vet ekonomik dhe në forcimin e pozitës së saj gjeostrategjike në rajon.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

