(VIDEO) Mickoski: Më 14 janar takim liderësh për heqjen e qeverisë teknike

(VIDEO) Mickoski: Më 14 janar takim liderësh për heqjen e qeverisë teknike

Edhe krahas refuzimit për takim liderësh nga kreu i LSDM-së Venko Filipçe, kryeministri Hristijan Mickoski megjithatë thotë se do t’ju bëjë ftesë zyrtare kryetarëve të partive, për takim liderësh. Kryeministri madje e ka caktuar edhe ditën, vendin dhe kohën e mbajtjes së takimit, duke njoftuar se është menduar të mbahet më 14 janar në orën 12:00, në Klubin e Deputetëve.

Për refuzimin e takimit nga Filipçe, Mickoski tha se për fat të keq kemi opozitë të papërgjegjshme, jo konstruktive dhe opozitë pa ide. Thotë se ka dashur që përmes kësaj ftese për takim të tregojnë pjekuri politike, sepse në të kundërtën Ligjin për Qeveri mund ta votojë shumica sepse i kanë votat e nevojshme dhe nuk ju duhet opozita.

Hristijan Mickoski, kryeministër

“Nëse ne do donim të silleshim të papjekur, ne me 61 vota në Kuvend mund ta ndryshojmë Ligjin për Qeveri dhe ta heqim Qevrinë teknike, nuk do na ishte i nevojshëm mendimi i opozitës, por ne duam që procesi të jetë inkluziv edhe krahas asaj që kemi 90% të komunave, pothuajse 2 të tretat në Kuvend”.

Filipçe në mënyrë eksprese e hodhi poshte mundësinë e pjesëmarrjes së tij, në takimin e liderëve të paralajëmruar nga Mickoski. Sipas tij, ftesa për takim është vetëm një përpjekje për të krijuar një alibi për zgjedhje të parakohshme, të cilat, siç thotë, janë pjesë e një skenari më të madh që lidhet me migrantët dhe borxhin financiar.

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së

“Qeveria teknike duhet të mbetet, sepse qeveria ka uzurpuar gjithçka. Ka futur kthetrat e saj në gjyqësor, ka marrë kontrollin e plotë të prokurorisë, ka sjellë ndryshime në Kodin Penal në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian. Po e bën këtë për të mbrojtur krimet e qeverisë”

Ndërkaq, mësohet se BDI është duke menduar që ta mbështes heqjen e Qeverisë teknike, por me kushtëzime.  Burime pranë kësaj partie kanë thënë se BDI mund të mbështes të hiqet mekanizmi 100-ditor para zgjedhjeve, nëse dakordohet mekanizmi ligjor i miratuar në Kongresin e BDI-së që qeveritë e ardhshme të votohen me shumicë të dyfishtë (Badinter).

VLEN ka thënë se është gjithmonë e hapur për çdo takim që ka për qëllim funksionimin e institucioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve.

Sipas kryeministrit në takimin e liderëve krahas ligjit për Qeveri, tema të diskutimit do të jenë edhe ligjet që janë pjesë e Agjendës reformuese, në mesin e të cilëve Kodi Zgjedhor, Ligji për Prokurorinë Publike, Ligji për Këshillin Gjyqësor, por edhe çështja e Avokatit të Popullit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING