(VIDEO) Mickoski kërcënon me shkarkim kandidatin e VLEN-it për Bervenicën
Kryeministri dhe kreu i VMRO – DPMNE-së ka sulmuar sërish pjesëtarët e koalicionit VLEN. Kësaj here, shkak ishte thirrja e kandidatit të VLEN-it për kryetar të Komunës së Bervenicës, Haqim Ramadani për unifikim të shqiptarëve në mënyrë që të fitojë komunën kandidati shqiptar e jo ai i VMRO – DPMNE-së. Mickoski ka dënuar në mënyrë të ashpër këtë gjuhë dhe ka thënë se ka bërë një gabim shumë të madh dhe tha se është për keqardhje që në shekullin 21 të përdoret një fjalor i tillë.
Hristijan Mickoski, Lider i VMRO – DPMNE-së
Ai bëri një gabim të madh, veçanërisht për kandidatët, nga i njëjti koalicion për të cilin po kandidon. Imagjinoni çfarë do të ndodhë tani në Tetovë, Strugë, Dibër dhe disa komuna të tjera, saqë një veprim kaq egoist nga një politikan nuk është parë në historinë e kohëve të fundit në Maqedoni. Të vijë dhe të mendojë vetëm për veten dhe interesin e tij shkurt-pamës, ndërsa neglizhon të gjithë të tjerët që po luftojnë gjithashtu në raundin e dytë për mandatin e kryetarit të bashkisë është vërtet për të ardhur keq”.
Ai madje ka kërcënuar hapur Ramadanin se, pas përfundimit të zgjedhjeve të cilat sipas Mickoski do t’i humb, do ta shkarkojë atë nga pozita aktuale e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale.
Ndërkaq, Mickoski u shpreh se jo të gjithë në VLEN, ndajnë mendimin se aty ku kandidon VMRO, duhet të mbështeten kandidatët shqiptar.
Hristijan Mickoski, Lider i VMRO – DPMNE-së
“Unë për shembull e kam dëgjuar Fatmir Limanin, i cili absolutisht nuk bëri thirrje që të votohet kundër kandidati i VMRO – DPMNE-së në Kërçovë. Kjo është e para. E dyta, koalicioni VLEN dërgoi kumtesë se, nuk e mbështetë Fatmir Deharin si kandidat për kryetar komune në Kërçovë dhe të tentojë edhe tash të bëhet kryetar komune. Por, edhe unë u bëjë thirrje shqiptarëve që janë në Kërçovë të mendojnë a duhet të japin votën për të”.
Kujtojmë se, Mickoski ditëve të fundit ka bërë disa deklarata me të cilat ka sulmuar VLEN-in. Mes tjerash ai tha se, nuk ka marrë respektin që ka pritur nga VLEN për mbështetjen që ka dhënë VMRO për koalcionin shqiptar në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale dhe se nuk do ta harron këtë gjë.
Teuta Buçi /SHENJA/

