(VIDEO) Mickoski kërcënon BDI-në: Përveshi do t’ju nxjerrim nga shtëpia

Akuza, përplasje, kritika madje edhe kërcënime, nuk kanë munguar nga partitë politike pozitë dhe opozitë, as edhe pas një tragjedie të madhe e të tmershme që përjetoi vendi gjatë ditës së djeshme. Kryeministri Hristijan Mickoski, në rolin e një mësuesi, nuk e ka kursuer veten aspak. Ai i ka dërguar një mesazh kërcënues partisë opozitare shqiptare BDI, ku siç u shpreh Mickoski se “Për veshi do t’i nxjerrin nga shtëpitë e tyre, dhe do të përgjigjen të gjithë!
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Më lejoni t’u përgjigjem atyre që bëjnë konferenca për media në mesnatë, këtu nuk ka politikë, të gjithë ju që keni guxuar të bëni politikë në këtë mënyrë do të mbani përgjegjësi, mbi kurrizin e qytetarëve dhe jetëve që humbën këta fëmijë. Dhe nuk do të ketë mëshirë, për veshi do t’i nxjerrim nga shtëpia. Nëse ata mendojnë se do të përpiqen të luajnë në kartën etnike dhe të bëjnë politikë siç u përpoqën dje, me ato konferencat për shtyp të mesnatës. Për veshi do t’i nxjerrim nga shtëpia!”.
Ndërkaq, Mickoski, thotë se ngjarja në Koçan është më shumë se krim dhe është vrasje masive që dikush ka lejuar të ndodhë. I pari i qeverisë tha se diskoteka ka pasur vetëm dy herë licenca në vitin 2021 dhe 2023. Sipas tij, pyetja është se si është nënshkruar licenca dhe në bazë të cilave elaborate dhe cilat dokumente e kanë nënshkruar.
Samir Mustafa /SHENJA/