(VIDEO) Mickoski: Hetimi për ujin në Gostivar do të zgjerohet
Situata në Gostivar në lidhje me ujin e pijshëm po normalizohet gradualisht, pasi procesi i hiperklorimit të ujit në Gostivar po vazhdon, ndërsa autoritetet thonë se qytetarët së shpejti pritet të kenë në dispozicion ujë të sigurt për pije dhe gatim. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ekspertë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi i Shkupit” po kryejnë analizat e përditshme dhe se rezultatet tregojnë përmirësim të gjendjes. Ai tha se shteti ka siguruar ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit, ndërsa falënderoi kompanitë dhe qytetarët që janë përfshirë në aksionin e donacioneve. Sipas tij, problemi është shkaktuar nga veprimet e papërgjegjshme të disa të punësuarve në ndërmarrjen komunale, të cilët kanë transferuar ujë nga lumi në rezervuarin kryesor.
Sa i përket përgjegjësisë për rastin, kryeministri pret që hetimi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe persona të tjerë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Në këtë moment po zhvillohet procesi i hiperklorimit, i cili po kryhet nga ekspertë të Ndërmarrjes Publike ‘Ujësjellësi i Shkupit’. Çdo ditë merren mostra dhe analizohen. Tashmë mund të them se po shkojmë drejt një situate ku, ndoshta për herë të parë në dekadat e fundit, qytetarët e Gostivarit do të kenë ujë për pije që do të jetë bakteriologjikisht i rregullt. Prokuroria tashmë po vepron, kemi persona të ndaluar dhe të marrë në pyetje, ndërsa pres që hetimi të zgjerohet. Përgjegjësia është identifikuar dhe po ndërmerren masat e nevojshme.”
Kryeministri shtoi se aktualisht qytetarëve u është siguruar ujë teknik dhe kërkoi durim deri në përfundimin e analizave, duke shprehur pritjen se shumë shpejt do të mund të përdorin ujin edhe për pije dhe gatim.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjendja epidemiologjike në Gostivar është stabile dhe po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente. Sipas të dhënave të Ministrisë, më 31 korrik janë regjistruar 60 kontrolle të para mjekësore, ndërsa trendi i përgjithshëm i rasteve mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën kur epidemia arriti kulmin.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Edhe pse është shënuar një rritje ditore, trendi i përgjithshëm mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën kur u regjistrua numri më i madh i rasteve. Nga 14 deri më 31 korrik janë regjistruar 4.543 kontrolle mjekësore, janë dorëzuar 1.028 njoftime për sëmundje ngjitëse dhe janë realizuar 730 anketa epidemiologjike, me përfshirje prej 71 për qind”.
Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë rekomandimet për përdorimin e ujit deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave, ndërsa institucionet kompetente vazhdojnë monitorimin e situatës dhe hetimet për përgjegjësinë lidhur me ndotjen e ujit.
Samir Mustafa /SHENJA/

