(VIDEO) Mickoski e portretizon veten si “luftëtar të vitit 2001”

(VIDEO) Mickoski e portretizon veten si “luftëtar të vitit 2001”

Kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski ka kundërshtuar sërish qëndrimet e krerëve të partive më të mëdha në pushtet. Lideri opozitar ka shkruar në profilin e tij në Facebook se Ali Ahmeti mundet që fabulat për luftën e vitit 2001 t’ia tregojë vetëm partnerit të tij Dimitiar Kovaçevski, të cilin vazhdon ta etiketojë si dezertor të luftës. E për ta çuar më tej betejën verbale, ai e ka promovuar veten si patriot që ka marrë pjesë konfliktin e vitit 2001. Për këtë ka shpërndarë edhe foto ku shihet i veshur me uniformë ushtarake.

“Përralla për vitin 2001 Aliu mund t’i tregojë vetëm Dimitar Kovaçevskit. Të parët janë trima nga kolltuqet e tyre komode në Zajaz, ndërsa populli shqiptar, ashtu si populli maqedonas, është i uritur. Kovaçevski, si dezertor që nga viti 2001, do të besojë gjithçka dhe duhet ta zbatojë atë, për të kryer krime vetë. Herën tjetër le të shikojnë dhe lexojnë me kujdes atë që them dhe jo ta nxjerrin jashtë kontekstit”, deklaroi Mickoski.

Në anën tjetër, LSDM-ja vlerëson se deklaratat militariste të Mickoskit  në pjesën ku thotë se si ka qenë vullnetar dhe ka fituar luftën, tregojnë se ai është peng i ideologjisë nacionaliste të kreut të partisë E Majta, Dimitiar Apasiev.

“Mickoski dhe VMRO-DPMNE bëhen peng i politikave populiste dhe retorikës ndezëse të partisë E Majta, të cilat i pengojnë rrugës evropiane të shtetit dhe i konkurrojnë në veprime të dëmshme politike”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

LSDM i bën thirrje Mickoskit që t’i japë fund retorikës nacionaliste dhe të japë kontributin që i takon për mbarëvajtjen e raporteve ndëretnike në vend dhe për ecjen në rrugën evropiane.  /SHENJA/

MARKETING