(VIDEO) Mickoski: Duhet të turpërohemi para Strasburgut për gjyqësorin

(VIDEO) Mickoski: Duhet të turpërohemi para Strasburgut për gjyqësorin

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se duhet të turpërohemi dhe të skuqemi para Strasburgut nga gjykatësit dhe prokurorët e komprometuar. Këtë koment ai e dha pasi ish ministrja nga radhët e partisë së tij, pjesë e garniturës së vjetër të VMRO-DPMNE-së dhe e dënuar me burg në rastin “Tanku” Gordana Jankullovska, njoftoi se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg po e shqyrton procesin gjyqësor kundër saj për blerjen e veturës së blinduar zyrtare. Mickoski theksoi se në sistemin e drejtësisë nevojiten reforma thelbësore, e jo rritje të pagave, të cilat, siç tha, janë ndjeshëm më të larta se paga mesatare në shtet.

Hristijan Mickoski, kryeministër

“Vërejta se në kumtesë qartë thuhet se kanë vërejtje ndaj procesit, mënyrës së gjykimit, shkelje së të drejtave të njeriut dhe se hapin lëndë për ta shqyrtuar atë proces. Do t’ju rikujtoj se për raste të tilla ne flasim prej kohësh. Këta janë ata gjyqtarë të cilëve u duket e vogël paga dhe kërkojnë dyfish, trefish më shumë. Të imponuar politikisht dhe të kapur  nga qeveria e mëparshme”

Ish ministrja e brendshme VMRO-së Gordana Jankulloska, në profilin e saj në facebook kishte shkruar se hapja e rastit nga gjykata e Strasburgut, nuk është vetëm konfirmim i gjithë paligjshmërisë dhe pandërgjegjshmërisë së instalacioneve të qeverisë së mëparshme në gjyqësor në lidhje me atë, por edhe siç shton konfirmim se ato instalacione ishin mjeti më i fuqishëm për arritjen e qëllimeve të asaj qeverie.

Gordana Jankulloska, ish ministre

“Edhe pse kanë kaluar gati 5 vjet që kur paraqita kërkesë në GJEDNJ, dhe unë kam duruar një dënim të padrejtë drakonik dhe dëmi që kam pësuar në aspekt privat dhe profesional nuk mund të kompensohet, njoftimi se këto shkelje janë njohur nga GJEDNJ është një satisfaksion i imi personal. Ndoshta më në fund ata me 2% besim do ta marrin mesazhin se nuk duhet t’u shërbejnë interesave dhe agjendave të askujt, sepse qytetarët i paguajnë për t’i mbrojtur, jo për të shkelur të drejtat e tyre”.

Gjykata e Strasburgut në të kaluarën ka gjykuar shumë raste nga qytetarë të RMV-së, duke vendosur në favor të qytetarit  dhe shteti ka paguar dëmshpërbilme për dënimet e shqiptuara nga gjykatat vendase.

Përndryshe, Jankullovska, është njëra ndër ministret më me zë në Qeverinë e Gruevskit, të cilën shqiptarët e mbajnë mend mirë sidomos për deklaratat e saj për rastin “Monstra”. Për rastin për të cilin është ankuar në Strasburg, ajo qëkur ka nisur ky rast e deri në vuajtjen e denimit, për shkak se përkoi me periudhën që ajo u bë nënë dhe kishte një foshnje të vogël, nuk la mundësi ligjore pa shfrytëzuar për ta lehtësuar rolin e saj si në procesin gjyqësor, si në shqiptimin e dënimit, ashtu edhe në vuajtjen e denimit me burg.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING