(VIDEO) Mickoski: Do të zgjidhim problemin me shkollën në Norovë, por fajtorë janë edhe prindërit

Problemi i shkollës së fshatit Norovë të Krushevës ka marrë sot vëmendjen edhe në Kuvend. Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti gjatë seancës për pyetje të deputetëve kërkoi angazhimin e pushtetit qendror për zgjidhjen e problemit me shkollën.
MARKETING
Ajo duke ju drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, tha se nxënësit shqiptar atje me vite të tëra po përballen me mungesë të kushteve elementare për ndjekjen e mësimit dhe janë lënë në harresë. Kryeministri premtoi se personalisht do të shkojë të vizitojë prindërit e nxënësve atje dhe u zotua që ky problem të tejkalohet, pa u politizuar, megjithatë tha se, zgjidhja duhet të jenë në kuadër të ligjeve.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Por ajo që është situatë faktike atje është si në vijim – përgjegjëse është komuna por përgjegës janë edhe ata të cilët me donacionet vendosën që në një parcelë të parregulluar ligjore dhe të parregulluar urbanistike, pavarësisht që ata kanë thënë se ky objekt do të jetë për kryerjen e veprimtarisë arsimore. Ka ligje në shtet deputete Dauti dhe duhet t’i respektojmë. Unë ju ftojë që së bashku të shkojmë në Norovë, të marrim me vete ligjin për planifikim urbanistik, ligjin për tokë ndërtimore, ligjin për ndërtim dhe kushtetutën, të gjejmë parcelë dhe të bëjmë diçka për këta fëmijë”.
Ndërkaq, deputetja Dauti i ka replikuar kryeministrit duke thënë se fokusi duhet të jetë te shkaqet që detyruan prindërit që të ndërtojnë objekt shkollor me vet iniciativë.
Ilire Dauti, Deputete e ASH-së
“Përmendet iniciativën e prindërve, megjithatë konteksti në të cilin e përmendët pa dyshim që nuk më pëlqen, sepse nuk ka prind i cili zgjohet në mëngjes dhe thotë ta ndërtojë unë një shkollë për pikën e qefit, sepse të gjithë prindërit që i kanë të siguruara kushtet normale dhe dinjitoze për fëmijët e vet, ata janë të angazhuar për ndjekjen e fëmijëve në tjera aspekte, mirëpo jo për të ndërtuar objektin e shkollës. Kështu që, asnjëherë nuk duhet të largohemi nga arsyeja që i ka detyruar ata prindër që të marrin iniciativën për të ndërtuar objekt sepse kanë pasur objektin që është i vjetër 75 vjeçar dhe i ndërtuar me gurë dhe me baltë”.
Kujtojmë se, banorët e fshatit Nerovë, në vitin 2024 me vet iniciativë filluan ndërtimin e objektit shkollor në këtë fshat, pasi objekti i vjetër nuk plotësonte kushtet për mësim. Megjithatë, inspektorati ka ndaluar punimet, sepse objekti nuk posedon leje ndërtimi. Kjo situatë ka bërë që nxënësit e këtij fshati të bojkotojnë mësimin në shenjë proteste.
Teuta Buçi /SHENJA/