(VIDEO) Mickoski: BDI po përpiqet të hapë tema monoetnike
Koordinatori i grupit parlamentar të koaliconit opozitar shqiptar, Fronti Evropian, Blerim Bexheti sot në seancën për pyetje deputetësh, ka ngritur çështjen e mekanizmit të balancuesit dhe të ligjit për gjuhën shqipe. Ai ka pyetur kryeministrin, Hristijan Mickoski nëse do të tërheq nismën e dorëzuar nga një pjesëtar i partisë së tij në Gjykatën Kushtetuese, për kontestimin e kushtetueshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se kjo çështje, dëmton stabilitetin ndëretnik në vend.
Blerim Bexheti, deputet i BDI-së
“Pyetja ime konkrete në emër të grupit parlamentar të Frontit Evropian – A keni vullnet, gatishmëri, që ta tërhiqni këtë iniciativë, ku kontestoni Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, në respekt ndaj gjithë shqiptarëve, pasi që të jeni të bindur se përveç 10 vetave, 15 që i keni rehatuar në kolltuqet e kabinetit qeveritar tuajin, nuk ka shqiptar që pajtohet me abrogim të ndonjë presje, e jo të ndonjë neni? Prandaj, pyetje e drejtëpërdrejt, a do e tërhiqni në interes të stabilitetit, progresit dhe të respektit ndaj komunitetit të dytë në këtë shtet, shqiptar”.
Kryeminsitri u përgjigj se, BDI po përpiqet të shkaktojë polarizime dhe se do ta vazhdojnë të hapin tema monoetnike dhe të krijojnë konflikte ndëretnike, por se nuk do të kenë sukses.
Hristijan Mickoski, kryeminsitër i RMV-së
“Unë e kuptoj nevojën, si për ju personalisht, ashtu edhe për opsionin politik që përfaqësoni, si koordinator dhe si zyrtar i lartë i një partie politike që në të kaluarën kishte fokusin kryesor te prokurimet publike, që për një moment të orientoheni kah agjenda e gjelbër dhe të bëheni ambientalist, pastaj nga këtu kaloni në energji në fushën e minierave dhe importit të qymyrit, pastaj herë pas here si opsion politik të jeni mjaft aktiv në fushën e lojërave të fatit dhe në fund, pasi keni ardhur në opozita, të tentojmë të sjellim polarizim në një shoqëri multietnike si kjo e jona me tema monoetnike”.
Nga ana tjetër, Bexheti pyeti ministrin e Administratës Pubike, Goran Minçev se kurë pritet që Qeveria ta dorëzojë propozim ligjin e shumë premtuar nga VLEN, për përfaqësim të drejtë në procedurë parlamentare. Minçev tha se, nuk do të lejojë presionet politike të shkelin ligjin dhe nënvizoi zotimin e kësaj ministrie për zbatimin e reformave të bazuara në bazën ligjore dhe transparencën.
Goran Minçev, Ministër i Adminsitratës Publike
“Ismeti ishte regjistruar si maqedonas, Angel dhe Stojan si shqiptar, ndërsa Zoran si boshnjak. Këto janë vetëm disa shembuj të keqpërdorimeve eklatante të balancuesit. Balancuesi ishte një mekanizëm digjital i vendosur në vitin 2015 si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Por, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2024, ky mjet është shfuqizuar. Mendimi im është se Balancuesi, i cili duhej të ofronte përfaqësim të drejtë, u keqpërdor për qëllime politike. Ministria nën udhëheqjen time bëri korrigjime për të rivendosur aplikimin e drejtë sipas Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, i cili përcakton në mënyrë strikte respektimin e përfaqësimit etnik bazuar në regjistrimin e fundit”.
Kujtojmë se, muaj më parë, Gjykata Kushtetuese ka ngrirë balancuesit që deri më tani ka shërbyer si mekanizëm për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike gjatë punësimeve në administratën shtetërore. Qeveria ka paralajmëruar ligj të ri në lidhje me përfaqësimin etnik, por ende nuk është dorëzuar propozim ligj për këtë.
Teuta Buçi /SHENJA/