(VIDEO) Mexhiti për korridorin 8: Dilema e vetme mbetet pika konkrete e lidhjes
Edhe pse fillimisht u projektua për të lidhur Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, gjatë periudhës së fundit janë ngritur dyshime se Korridori 8 mund të ndryshojë trase dhe të ndërpritet lidhja me Shqipërinë. Megjithatë, kështu nuk mendon Izet Mexhiti, njëri ndër kryetarët e VLEN-it.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për dilemat e ngritura në opinion, Mexhiti theksoi se Korridori 8 do të ndërtohet sipas planit fillestar dhe se lidhja me Shqipërinë nuk vihet në pikëpyetje në asnjë moment. Dilema e vetme sipas Mexhitit, mbetet pika konkrete e lidhjes, duke shtuar se është e mundur që njëkohësisht të respektohen edhe rregullat e UNESCO-s.
IZET MEXHITI – KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Momentin që kjo Qeveri është përcaktuar për të realizuar atë korridor, është për tu lidhë me Shqipërinë. Nuk është ideja për të shkuar nga Shkupi deri në Sturgë dhe Ohër për të pirë kafe, por ideja është që Korridori të lidhet me Shqipërinë. Dilema e vetme është se ku do të lidhet. Mund edhe ti respektojmë rregullat e UNESCO-s edhe korridori të bëhet”.
Në të njëjtën linjë, Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, bëri të ditur se pret që përfaqësues të UNESCO-s të vizitojnë vendin deri në mesin e muajit maj, për të shqyrtuar nga afër çështjet që lidhen me trasenë e korridorit dhe problematikat infrastrukturore në rajonin e Ohrit. Ai theksoi se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur, çka nënkupton se punimet duhet të trajtohen me kujdes të veçantë.
ZORAN LUTKOV – MINISTËR I KULTURËS DHE TURIZMIT
“Besoj se deri në mes të muajit maj do të vijnë në vendin tonë përfaqësues nga komisioni i Unescos që të mund nga afër të gjitha problemenet me të cilët përballemi edhe në pjesën infrastrukturore edhe të gjitha problemet tjera me të cilat përballen rajoni i Ohrit që në të ardhmen të gjejmë zgjidhje. / Është zonë e mbrojtur dhe prandaj në mënyrë automatike duhet të ndalojmë punimet seose është e mbrojtur si zonë nga UNESCO”.
Ndërkohë, për të gjetur një zgjidhje për segmentin nga Trebenishta deri në Qafë Thanë, i cili kalon mbi një zonë të mbrojtur nga UNESCO, një delegacion qeveritar ka zhvilluar takime me përfaqësues të kësaj organizate. Nga ana tjetër, opozita vazhdon me kritika, duke vlerësuar se rrezik më të madh për UNESCO-n paraqesin ndërtimet pa leje, e jo projekti i Korridorit 8.
Mevludin Imeri /SHENJA/

