(VIDEO) Mexhiti me akuza se BDI dhe Levica janë në koalicion, Osmani: Shpifjet vijnë nga frika për humbjen e zgjedhjeve

Koalicionimi ndërmjet BDI-së dhe Levicës nuk është risi sepse dyshja Apasiev-Ahmeti kanë pasur koalicionim prej kohësh në Qytetin e Shkupit së bashku me Danella Arsovskën ku kanë ndarë drejtoritë.
Kjo ishte përgjigjja e zv.kryeministrit Izet Mexhiti njëherit kandidat për komunën e Çairit nga koalicioni VLEN, kur u pyet për kandidaturat e Levicës në Komunat me shumicë shqiptare për të cilat u aludua se Apasiev i nxorri në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik për Integrim.
IZET MEXHITI – VLEN
“Si koalicion ata funksionojnë, kanë ndarë pushtet, drejtoritë, pra Apasiev, Ahmeti dhe Danella kanë funksionuar deri tash dhe nuk kam aspak dilemë se kjo është në koordinim kandidimi i kandidatëve të Levicës në qytetet shqiptare në funksion dhe në interes si dhe në bashkëpunim me BDI-në”.
Akuzave për koalicionim mes BDI-së dhe Levicës i është përgjigjur Bujar Osmani, kandidat i Aleancës Kombëtare për integrim në Komunën e Çairit. Osmani ka deklaruar se këto shpifje vijnë nga frika e oponentëve për humbjet që do t’i pësojnë në komunat në të cilat garojnë dhe këtë do ta përdorin sipas tij si arsyetim para mbështetësve të tyre.
BUJAR OSMANI – KANDIDAT I AKI PËR KOMUNËN E ÇAIRIT
Pa dashur të ironizoj, mua më pëlqej kjo akuzë dje, për shkak se zakonisht, kur fillojnë me akuza të tilla ata fillojnë të përgatisin arsyetimin për humbje. Mendoj se kjo është arsyeja dhe qëllimi se pse dalin me këto shpifje sepse duan që pas 19-të tetorit të kenë arsye se si njerëzve të tyre, opinionit ti spjegojnë se pse rezultati është i tillë.
Debati për koalicion të orkestruar mes BDI-së dhe Levicës ka lindur menjëherë pasi parita e Dimitar Apasiev vendosi të nxjerë kandidat në Strugë, Gostivar dhe Tetovë dhe të mos nxjerë kandidat për kryetar komune në Veles, prej nga vjen vet kryetari i Levicës dhe komuna të tjera me shumicë maqedonase.
Mevludin Imeri /SHENJA/