(VIDEO) Mexhiti: Kushdo që prek marrëveshjen e Ohrit, ka prekur marrëdhëniet ndëretnike!
Seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të Gjuhëve do të mbahet më 11 dhjetor. Ndërsa, dy gjykatësit shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë.
Zëvendës kryeministri, Izet Mexhiti, këtë herë është treguar i rreptë me gjykatësit kushtetues. Thotë se kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit ka prek marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Ftoj gjithë institucionet dhe qytetarët të marrin me qetësi këtë punë, e ftoj edhe Gjykatën Kushtetuese ta sheh këtë si çështje politike jo vetëm juridike. Për shkak se ligji i gjuhëve del nga Marrëveshja e Ohrit që është shtyllë e këtij shteti të ri e Kushtetutës së re. Pra kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit ka prek marrëdhënjet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti. Andaj ftoj të gjithë ta mbyllim këtë çështje të ndjeshme si duhet”.
Ndërkohë BDI opozitare reagon duke thënë se 11 dhjetori është dita që mund të ndryshojë gjithçka, ndërsa përgjegjësi për pasojat thonë se nuk marrin.
BDI
“Çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica. Ky bojkot i gjykatësve shqiptar është një tregues i fortë se këto përpjekje për të goditur 10 nene të këtij ligji kanë natyrë thellësisht diskriminuese dhe synojnë të ‘vrasin’ gjuhën shqipe në mënyrë institucionale”.
Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu për Alsat ka thënë se nuk është e vërtetë që kontestohen vetëm 3 dispozita të Ligjit, por 18, që do të thotë siç shprehet, kontestohet gjysma e Ligjit. E në rast se Gjykata pranon kontestimin e të 18 dispozitave, atëherë sipas Kadriut nuk kemi ligj. Ndërsa shtoi se një prej kontesteve është edhe kontesti i përdorimit të termit gjuha shqipe.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Seanca për vlerësimin e kushtetuetshmërisë të këtij ligji fillimisht ishte caktuar për me 5 tetor por për shkak të ndjeshmërisë së situatës, u shty për më 11 dhjetor.
Emine Ismaili /SHENJA/