(VIDEO) Mexhiti konfirmoi kandidaturën, zyrtarizohen edhe disa emra tjerë

Mjegulla që është krijuar disa muaj më parë para zgjedhjeve lokale, si duket do të largohet. Zhvillimet e fundit sinjalizojnë qartë se partitë politike po lëvizen me ritme të shpejta drejt garës elektorale. Zyrtarizimi i disa emrave për kandidatë për komuna nga partitë politike është drejt finalizimit. Në komunën e Çairit, komunë që pritet të jetë gara më e nxehtë, është zbardhur gjithçka.
Ashtu edhe siç pritej, zëvendëskryeministri dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka konfirmuar se ai do të jetë kandidati i VLEN-it për Çairin, i cili sfidohet nga ish bashkëpartiaki i tij, Bujar Osmani. Në një prononcim për Euronews Albania, Mexhiti madje është shprehur i bindur se do të dalë fitues, duke u mbështetur në përvojën e mëparshme dhe në sondazhet aktuale.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR
“Po, do të jem kandidat për komunën e Çairit si përfaqësues i koalicionit VLEN. Kam shërbyer për tre mandate si kryetar i kësaj komune dhe pas një analize brenda partisë, vendosëm që të rikthehem në garë”.
Nga ana tjetër, Osmani, nga dita e parë që shpalli kandidaturën e tij, ka vazhduar me para-fushatën e tij, duke synuar të marrë nën udhëheqje Çairin.
Ndërkaq, Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Faton Ahmeti, ka bërë publike disa nga emrat e parë të kandidatëve të koalicionit opozitar shqiptar Aleanca Kombëtare për Integrim për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në një status të shpërndarë në rrjetet sociale, Ahmeti thekson se përgatitjet janë në vazhdim dhe se kandidaturat përfaqësojnë “bashkimin politik” dhe synimin për t’i dhënë fund, siç shprehet ai, “përbuzjes së përditshme ndaj shqiptarëve”.
FATON AHMETI, SHEF I SHTABIT QENDROR TË BDI-SË
“Emrat e konfirmuar deri tani janë:Bajram Rexhepi – Tetovë, Valbon Limani – Gostivar, Bujar Osmani – Çair,Nazim Taipi – Tearcë, Blerant Ramadani – Saraj, Emir Sulejmani – Zhelinë dhe Isen Shabani – Vrapçisht”.
Nga Aleanca Kombëtare për Integrim, pritet që emrat për kandidatë në tre komuna ti zyrtarizojë edhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Ndërkohë nga VLEN, përveç Mexhitit, deri më tani është zyrtaziruar edhe përkrahja e tyre për kandidatin e pavarur për komunën e Strugës, Mendi Qyrën.
Samir Mustafa /SHENJA/