(VIDEO) Mexhiti dhe Osmani vazhdojnë me parafushatë intensive për Çairin

Kandidatët për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti nga VLEN dhe Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim po vazhdojnë me parafushatën zgjedhore, me shpalosjen e premtimeve dhe projekteve që zotohen se do të realizojnë, në rast se do të fitojnë zgjedhjet. Mexhiti paralajmëroi transformim të plotë të rrugës “Ferid Murati”, dhe të pjesshëm të rrugës “Llazar Terpevski”, ku do të ketë rikonstruim total të rrugës.
IZET MEXHITI KANDIDAT PËR KOMUNËN E ÇAIRIT
“Në bashkëpunim mes Komunës së Çairit, Bankës Popullore dhe Ministrisë së Transportit do të ndërtohet një rrugë moderne në gjatësi prej 1 kilometre, nga rruga Xhon Kenedi deri tek rreth rrotullimi Shqiponja. Kostoja e projektit është 1 milion euro dhe përfshinë: asfalltim të plotë, korsi të rregulluara për qarkullim, trotuare të standartizuara, korsi të reja për biçikleta në të dy anët e rrugës, një nga korsitë e rrugës do të shfrytëzohet për parkim legal duke rritur sigurinë dhe rregullimin në zonë, sistem të ri të ndriçimit publik’’.
Mexhiti njoftoi se do të hiqen semaforët dhe në vend të tyra do të bëhet një rreth rrotullim, dhe se përfundimi i këtij projekti parashikohet të bëhet në mars 2026.
Ndërkaq Bujar Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se sot në ora 5:30 të mëngjesit ishte në Dizhon, në rrugët e Çairit për t’i parë me sytë e tij problemet që i rëndojnë çdo ditë banorët e Çairit.
BUJAR OSMANI KANDIDAT PËR KOMUNËN E ÇAIRIT
“Brenda gjysmë ore pashë gropa që dëmtojnë makina, shtylla ndriçimi që nuk funksionojnë, pika grumbullimi të mbeturinave që presin të pastrohen… probleme të thjeshta që mund të rregullohen për një ditë, por që janë lënë pas dore me vite. Për 20 vite, kjo komunë është neglizhuar nga mungesa e punës, nga prioritetet e gabuara dhe nga papërgjegjësia”.
Osmani për përfundim theksoi se askush që e solli Çairin në këtë gjendje për 20 vite, nuk duhet të guxojë dhe të ofendojë duke i kërkuar vite të tjera banorëve të Çairit.
/SHENJA/