(VIDEO) Më në fund edhe nxënësit shqiptarë të RMV-së do të mësojnë nga abetarja mbarëkombëtare

(VIDEO) Më në fund edhe nxënësit shqiptarë të RMV-së do të mësojnë nga abetarja mbarëkombëtare

Me fillimin e vitit të ri shkollor, në disa shkolla fillore të Maqedonisë së Veriut, u bë edhe shpërndarja e abetarës së unifikuar. Gjatë ditës së sotshme, një ndër vendet ku u bë shpërndarja e abetarës është shkolla fillore “Liria” në Shkup, ku prezent ishte edhe zëvëndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili theksoi se do të vazhdojë të kontribojnë në rivendosjen e standartave në arsim në mënyrë që gjeneratat në vazhdim të mësojnë në kushte më të avancuara.

Izet Mexhiti, zëvëndëskryeministër i parë në RMV 00:30-00:56

“Kjo abetare shënon kurorëzimin e përpjekjeve tona për të mbrojtun trungun tonë identitar në erën e globalizmit dhe internetit. Në aspektin  etnokulturor mund të them se ajo e vulos përkatësinë tonë ndërsa në aspektin praktik abetarja e unifikuar paraqet një udhërrëfyes shumë të rëndësishëm në mos esencial për ruajten dhe kultivimin e gjuhës standarde dhe të unifikuar shqipe në dekada në dekada që vijojnë përpara nesh.”

Shpërndarja e abetarës është bërë edhe në Tetovë nga ana e kryetarit të komunës, Bilal Kasami, i cili tha se do të punojnë që jo vetëm abetarja por edhe librat e tjerë të jenë të unifikuar në frymë të bashkëjetesës.

Bilal Kasami, kryetar i komunës së Tetovës

“Kjo është abetarja e parë e unifikuar mbarëkombëtare. Prej këtë vitë do të shërbehen edhe nxënësit e shkollave shqipe, kështu që një mundësi me punë dhe jo me fjalë me punu për arsim cilësor.”

Ndërkaq, Kasami në deklaratën për media ka theksuar se këto libra kanë qenë të deponuara në Institutin e Trashëgimisë Kulturore ku kanë qëndruar aty dhe me ardhjen e tyre në pushtet sot këto libra shpërndahen për të gjithë nxënësit.

Përndryshe në nëntor të vitit 2023, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se abetarja e unifikuar do të përdoret edhe në Maqedoninë e Veriut, por vetëm pasi të jenë modifikuar programet mësimore për nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe, pasi vendimi për Abetaren që tashmë përdoret në Shqipëri dhe Kosovë, ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Entit Pedagogjik.

Merxhane Iseni /SHENJA/

MARKETING