(VIDEO) Më 4 tetor vjetërsohet dënimi i Gruevskit për rastin “tanku”
Ish kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, nuk do të vuaj burg as për rastin “Tanku”, për blerjen e mercedesit luksoz. Kjo përshkak se në mos prezencën e tij, koha e paraparë ligjore për të vuajtur denimin, ka kaluar, gjegjësisht, denimi për këtë rast është shqiptuar më 4 tetor 2018 dhe deri tani kanë kaluar gjashtë vite, ose dyfishi i kohës nga sa kërkohet sipas Kodit Penal për “parashkrimin e ekzekutimit të dënimit”.
Mirëpo kjo nuk është lënda e vetme nga rastet e hapura nga ish PSP-ja që përndiqeshte ish kryeministri Gruevski, që i shpëton denimit. Nga seria e lëndëve që i akuzuar ishte ai, e që bënë ai të arratisej nga vendi, Gruevski deri tani ka shpëtuar edhe në rastin TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet në Kodin Penal e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.
Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe “Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.
Por edhe për “Dhunën në Kuvend”, përshkak se ai ishte i paqasshëm, është pezulluar hetimi kundër tij për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.
Denim me burg Gruevskit ende i ka mbetur në rastin “Dhuna përballë Komunës Qendër”, i cili skadon për tre vjet, pra në vitin 2027. Ndërsa, më së voni, nëntë vjet burgim për rastin “Parcelat në Vodno” do t’i skadojnë në vitin 2043.
Në nëntor mbushen gjashtë vjet që kur ai u arratis në Hungari dhe mori azil politik.
Para pak kohësh, ministri i Drejtësisë Igor Filkov tha se kur të krijohen kushtet do të kërkohet ekstradimi i ish kryeministrit Nikolla Gruevskit nga Hungaria.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, javën e kaluar pranoi se me kryeministrin aktual, kryetarin e VMRO-DPMNE-së dhe pasasrdhësin e Gruevskit deri tani janë takuar 18 herë.
Emine Ismaili /SHENJA/