(VIDEO) Më 4 shtator fillon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

(VIDEO) Më 4 shtator fillon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Seanca gjyqësore kundër katër të akuzuarve në rastin e kidnapimit dhe vrasjes së 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi është caktuar për më 4 shtator. Paraprakisht, gjykata e ka shtyrë fillimin e gjykimit kundër katër të akuzuarve, i cili është dashur të mbahet sot.

Shtyrja erdhi pasi Prokuroria Publike njoftoi se hetimet ndaj të dyshuarit të parë Ljupço Palevski-Palço kanë përfunduar, dhe se prokurori publik do të kërkojë bashkimin e këtij rasti, me aktakuzën e ngritur kundër katër të akuzuarve të tjerë, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski.

Po ashtu nga gjykata thonë se pas marrjes së propozimit të Prokurorisë, i kanë hequr urdhërat për shoqërimin e të akuzuarve të cilët janë në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Ndryshe, siç kumtoi Prokuroria Publike, pas përfundimit të hetimeve ndaj Palevskit përfundon afati i mbrojtjes së tij për të kontrolluar provat.

Prokuroria njoftoi gjithashtu javën e kaluar se ka përfunduar procedura hetimore edhe për një tjetër person të dyshuar si ndihmës pas kryerjes së krimit. Bëhet fjalë për Stefan Dimovskin, i cili e ka çuar Palevskin nga Serbia përmes Bullgarisë për në Turqi. Ndërsa procedura ndaj këtij personi, thuhet në njoftim, do të zhvillohet ndaras.

Kujtojmë që e mitura Vanja Gjorçevska, e cila u raportua e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, ndërsa në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, i cili u raportua i zhdukur më 24 nëntor.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING