Sali në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë: Integrimi evropian duhet të krijojë mundësi konkrete për qytetarët

Sali në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë: Integrimi evropian duhet të krijojë mundësi konkrete për qytetarët

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, me ftesë të ministres austriake për Evropën, Integrimin dhe Familjen, Claudia Bauer.

MARKETING

Shik.mk

Në diskutimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ministri Sali theksoi se procesi i zgjerimit duhet të jetë i prekshëm për qytetarët edhe përpara anëtarësimit. Ai vuri theks të veçantë te të rinjtë dhe te nevoja për më shumë mundësi për arsimim, aftësim profesional, praktikë pune, kërkim shkencor dhe shkëmbime me partnerë evropianë.

“Për të rinjtë tanë, e ardhmja evropiane duhet të nënkuptojë mundësi reale për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, theksoi Sali.

Duke folur për integrimin gradual, ministri përmendi lehtësimin e tregtisë përmes Korsive të Gjelbra, pjesëmarrjen në SEPA dhe bashkëpunimin digjital si shembuj të përfitimeve konkrete që afrimi me Bashkimin Evropian mund të sjellë për qytetarët dhe bizneset. Ai nënvizoi se pjesëmarrja më e gjerë në programet, politikat dhe tregun e përbashkët të BE-së duhet të bazohet në kritere të qarta, në zbatimin e reformave dhe në respektimin e sundimit të ligjit.

Ministri Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje që procesi i zgjerimit të mbetet i drejtë dhe i parashikueshëm, ku përparimi i arritur nga vendet kandidate vlerësohet sipas kritereve objektive evropiane.

Në përfundim, ministri Sali falënderoi Austrinë për organizimin e konferencës dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

MARKETING