(VIDEO) Më 11 janar zgjedhje në Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupër dhe Mavrovë
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka nënshkruar sot aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Sipas këtij aktvendimi, zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës. Ndërsa, me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore.
Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit
“U bëj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm. I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave europiane. Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional”.
Ndërkohë, qeveria nuk ka emëruar ende person të besueshëm në këto katër komuna. Në tre komuna, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe Qendër Zhupë momentalisht me përfundimin e mandatit për kryetarët e kaluar, momentalisht nuk ka kryetarë komunash. Ndërsa në Gostivar vazhdon të jetë në krye të komunës u.d kryetar i komunës, i cili është në këtë detyrë për më shumë se një vit. Ditë më parë, profesori universitar i të drejtës kushtetuese dhe sistemit politik, Denis Preshova, ka bërë një shkrim sqarues në profilin e tij në Facebook në lidhje me situatën e krijuar në Gostivar. Ai vlerëson se, Gostivari është një “rast i veçantë” për shkak të ekzistencës së një kryetari të përkohshëm të zgjedhur sipas ligjit për vetëqeverisja lokale, mandati i të cilit, sipas ndryshimeve të vitit 2024, duhet të zgjasë deri në zgjedhjen e një kryetari të ri në zgjedhjet e para të rregullta.
Denis Preshova, profesor universitar
“Për u.d kryetar i komunës vlejnë rregulla tjera dhe ai sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, do të duhej të mbetet të kryejë këtë detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të komunës. Në këtë mënyrë, dispozita konkrete nga ligji për vetëqeverisje lokale është në përplajse direkte me dispozitën adekuate nga Kodi Zgjedhor sepse sipas ligjit për vetëqeverisje lokale kemi ud. kryetar i komunës i cili duhet ta kryejë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri ndërsa njëkohësisht e kemi Kodin Zgjedhor i cili e rregullon se nëse pas rrethit të dytë nuk zgjedhet kryetar komune, atëherë qeveria emëron të besueshëm”.
Ai më tej ka shtuar se, zgjidhja ligjore në Kodin Zgjedhor, sipas të cilës Qeveria duhet të emërojë një të besueshëm, përfaqëson një shkelje të parimit të subsidiaritetit, pasi sipas tij, në këtë mënyrë, bëhet një lloj ndërhyrjeje në vetëqeverisjen lokale, e cila është një e drejtë e garantuar kushtetuese e qytetarëve.
Teuta Buçi /SHENJA/

