(VIDEO) Mbyllet dialogu i postmonitorimit, vazhdon monitorimi i rregullt periodik
Maqedonia e Veriut do të jetë sërish nën monitorimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo e fundit në seancën e sotme miratoi një Rezolutë me të cilën propozohet të mbyllet dialogu i post monitorimit dhe me këtë do të vazhdoj të monitorojë zhvillimet përmes mekanizmit të saj të shqyrtimit të rregullt periodik. Teksti i Rezolutës, i përgatitur nga raportuesit Sibel Arslan nga Zvicra dhe Joseph O’Reilly nga Irlanda, vëren progresin e vendit në sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë, bashkëpunimin me organet e Këshillit të Evropës dhe njeh angazhimin politik për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra në vitin 2000.
Rëndësia e procesit të monitorimit, siç thuhet në komunikatë, theksohet edhe në marrëdhëniet ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës
“Ekziston bashkëpunim, konsultim dhe koordinim i ngushtë i aktiviteteve në kuadër të zgjerimit të BE-së dhe për këtë arsye përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve ndaj Këshillit të Evropës konsiderohet një element i rëndësishëm për promovimin, përshpejtimin dhe realizimin e aspiratave për integrim të mëtejshëm evropian të një vendi të caktuar”.
Megjithatë, thuhet se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbetet e shqetësuar për “nivelin e ulët të perceptimit të pavarsisë në gjyqësor dhe akuzat e shumta për politizim të gjyqësorit”, si dhe për infrastrukturën e vjetëruar të gjyqësorit dhe burimet e tij të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare. Gjithashtu shprehin shqetësim për akuzat e shumta për korrupsion të përhapura në të gjithë sektorin publik dhe u bëri thirrje autoriteteve të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të GRECO-s.
Emine Ismaili /SHENJA/

