(VIDEO) Mashtrim në markete: Djathi me 20% yndyrë kishte vetëm 1%

(VIDEO) Mashtrim në markete: Djathi me 20% yndyrë kishte vetëm 1%

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zbuluar parregullsi të shumta te një pjesë e produkteve të qumështit që tregtohen në vend. Sipas gjetjeve të deritanishme, nga 45 mostra të qumështit dhe produkteve të qumështit të analizuara, te 10 operatorë është konstatuar mospërputhje mes përbërjes reale të produkteve dhe asaj që ishte deklaruar në etiketë. Nga Agjencia bëjnë të ditur se analizat kanë treguar se në disa raste produktet përmbanin përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit sesa ajo e deklaruar, gjë që bie ndesh me dispozitat e Rregullores për cilësinë e produkteve bujqësore.

AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË

“Rasti më i rëndë, është evidentuar te një operator ushqimor, ku analiza e një mostre nga 22 kilogramë djathë i konfiskuar tregoi se produkti ishte deklaruar me 20 për qind yndyrë qumështi, ndërsa përmbante vetëm 1 për qind”.

Për këtë shkelje, operatori është gjobitur me 3.500 euro në kundërvlerë me denarë. Për shkak të mashtrimit të konsumatorëve, tetë operatorëve të tjerë, mes tyre prodhues dhe importues, u janë shqiptuar gjoba prej 1.050 eurosh secilit, pasi te produktet e tyre janë konstatuar parregullsi të ngjashme. Ndërkohë, te një operator tjetër ushqimor është zbuluar se gjatë prodhimit të një produkti qumështi janë përdorur yndyra bimore, përkatësisht vaj palme. Për këtë shkelje është shqiptuar gjobë prej 1.300 eurosh në kundërvlerë me denarë.

Gjetjet janë pjesë e analizave të realizuara te 91 mostra të qumështit, produkteve të qumështit dhe produkteve të mishit të përpunuar, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së cilësisë reale të produkteve me deklarimet në etiketë. AUV njofton se rezultatet për mostrat e qumështit dhe produkteve të qumështit tashmë janë përfunduar, ndërsa ende priten rezultatet e analizave për produktet e mishit të përpunuar.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING