(VIDEO) Marketet me etiketa për produktet vendore

Marketet gjatë këtyre ditëve duhet të vendosin etiketa për produktet vendore në raftet e tyre, gjë e cila do tu mundësojë qytetarëve t’i dallojnë menjëherë ato nga ato të importuarat dhe do ta bëjë zgjedhjen e tyre shumë më të lehtë nëse duan të blejnë produkte vendore. Siç njoftoi sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, është duke u zhvilluar edhe regjistrimi i platformës makedonskonajdobro.mk, përmes së cilës prodhuesit do të promovojnë produkte të freskëta bujqësore, ndërsa përpunuesit do të promovojnë produkte autentike vendore, ndërsa kompanitë do t’i shënojnë vendndodhjet e qendrave të tyre të shitjes.
CVETAN TRIPUNOVSKI, MINISTËR I BUJQËSISË, PYLLTARISË DHE EKONOMISË SË UJËRAVE
“Janë duke u bërë marrëveshjet me marketet ku do të shpërndahen shënuesit e produkteve vendore. Ata vetëm duhet t’i vendosin etiketat këto ditë. Kjo ka të bëjë me një numër të madh produktesh, do të duhen disa ditë që ato të shpërndahen dhe të vendosen në rafte. Ndërkohë, është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit të fermerëve, përpunuesve dhe marketeve për platformën në të cilën ata regjistrojnë produktet dhe pikat e tyre të shitjes në të gjithë vendin”.
Ai njoftoi gjithashtu se po punohet për një aplikacion të veçantë për telefonat celularë që do të ofrojë qasje edhe më të lehtë në informacion në lidhje me produktet dhe përpunimin bujqësor vendas.
Platforma makedonskonajdobro.mk përmban një hartë interactive e quajtur “Ku të blejë” e cila, nëpërmjet gjeolokacionit automatik, i ndihmon qytetarët të gjejnë pikat më të afërta të shitjes për produktet bujqësore vendase.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/