(VIDEO) LSDM: Privatizuesi serb i “Stopanska Bankës – Manastir”, ndërlidhet me Milan Radojçiqin!
Partia opozitare maqedonase LSDM, ka vazhduar të publikojë “bomba”, siç i quajnë ata, të keqpërdorimeve të qeverisë së Mickoskit. Aleksandar Sasha Dimitrijeviç nga kjo parti, tha se vetëm dy muaj më parë, banka serbe “Allta Banka” ka marrë në pronësi “Stopanska Bankën Sh.A Manastir”, për të cilën, ai tha se pëlqim ka dhënë guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Nga LSDM theksojnë se ky transaksion, sipas tyre, është i pandashëm nga rrjeti financiar-politik i strukturave në pushtet të Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, dhe pyesin nëse kjo nënkupton hapjen e rrugës për transferimin e kapitalit dhe ndikimeve të dyshimta nga Serbia në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, LSDM kërkon që Drejtoria e Policisë Financiare të hapin hetim për këtë dhe të hetohet prejardhja e parave dhe rreziku i pastrimit të parave.
ALEKSANDAR SASHA DIMITRIJEVIÇ, LSDM
“Pronari i Alta Bankës është Davor Macura nga Serbia fqinje. Në një kohë të shkurtër, nga pronar i një këmbimoreje të vogël në Zemun, bëhet pronar banke, investitor që ka kontrata me kompani gjigante shtetërore në Republikën e Serbisë. Opozita serbe rregullisht e akuzon Macurën për krim. Ndërkaq, mediat në Serbi e lidhin miqësinë e tij edhe me Milan Radojiçiqin, i cili është nën sanksione amerikane dhe në listën e zezë”.
Dimitrijeviç tha se kjo nënkupton hyrje ligjore të rrjedhave të dyshimta financiare në Maqedoninë e Veriut dhe hapje të derës për pastrim të mundshëm parash.
Ai ka pyetur se si është e mundur që Banka Qendrore Evropiane ka ndërmarrë një hap kaq rigoroz, ndërsa tha se Trajko Sllaveski dhe Banka Popullore e kanë lejuar pa hezitim të ndodhë kjo.
Samir Mustafa /SHENJA/

