(VIDEO) LSDM: Mickoski po bllokon procesin integrues, VMRO: Bullgarët në Kushtetutë nuk është kërkesa e fundit
Përplasjet ndërmjet partive të bllokut maqedonas nuk kanë të ndalur. Nga partia opozitare LSDM akuzojnë kryeminstrin Hristijan Mickoski, se po bllokon me vetëdije procesin eurointegrues të vendit dhe se në dy vite janë zbatuar vetëm pjesërisht dy nga dhjetë pikat kyçe të reformave.
Sipas LSDM-së, Mickoski nuk dëshiron t’i zbatojë reformat evropiane sepse ato sjellin sundim të ligjit dhe drejtësi, përfshirë një gjyqësor të pavarur dhe funksionimin e Prokurorisë Publike Evropiane. Partia opozitare vlerëson se mosrealizimi i ndryshimeve kushtetuese dhe mos përfshirja e pakicave në Kushtetutë po e mbajnë vendin në bllokadë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
LSDM
“Nga 10 pika kyçe, vetëm dy janë zbatuar pjesërisht në dy vjet. Tani, tetë duhej të përfundonin në një muaj. Këto nuk janë reforma, këto janë gënjeshtra. Mickoski nuk po i përmbush reformat sepse nuk dëshiron t’i përmbushë ato.Ai nuk e do BE-në, sepse reformat evropiane sjellin ligj dhe drejtësi”.
Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE kanë reaguar ndaj qëndrimeve të LSDM-së lidhur me procesin eurointegrues, duke deklaruar se ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i fundit për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe se Bullgaria ka kërkesa më të gjera ndaj Maqedonisë.
Sipas partisë në pushtet, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, po hesht ndaj deklaratave të presidentit bullgar Rumen Radev, i cili, sipas Valentin Manasievskit, vazhdimisht konteston identitetin, historinë dhe gjuhën maqedonase.
VALENTIN MANASIEVSKI, VMRO-DPMNE
“Është e qartë se i vetmi që u beson pa rezervë mesazheve të Rumen Radevit se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është pikërisht i dërguari special bullgar në Maqedoni, Venko Filipçe”.
VMRO-DPMNE akuzon Filipçen se nuk ka reaguar as ndaj deklaratave të Radevit se gjuha dhe identiteti maqedonas ekzistojnë vetëm pas vitit 1945 dhe as ndaj disa deklaratave tjera ku ka thënë se disa revulucionar maqedonas janë bullgare. Nga VMRO-DPMNE shtojnë se interesat kombëtare maqedonase dhe dinjiteti i shtetit nuk duhet të jenë objekt pazari politik.
Samir Mustafa /SHENJA/

