(VIDEO) LSDM: Mickoski me orën 60 mijë euro nuk i kupton qytetarët
Vlerësimi për metodologjinë e llogaritjes së shportës sindikale, nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, i cili të martën tha se në përllogaritje merren parasysh gjëra luksoze si cigarja e kafeja, të cilat ai nuk i konsumon, ka bërë që reagojë sot partia opozitare maqedonase LSDM. Ata thonë se Mickoski me orë 60.000€ të cilën e posedonm nuk mundet ta kuptojë këtë. “Problemi nuk është se çfarë ha kryeministri, por se shumë qytetarë nuk kanë para të mjaftueshme për ushqim, bukë, mish, qumësht, fatura dhe nevoja elementare”, shtojnë nga partia e Filipçes.
Kritikat e LSDM-së për të parin e qeverisë nuk mbarojnë me kaq. Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska, tha se nepotizmi po mbretëron në Qeverinë e Mickoskit, duke shtuar se në vazhdimësi emërohen familjarë të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, të punësuar nën ombrellën e shtetit dhe në kurrizin e qytetarëve. I fundit është rasti , siç tha Kuzeska, ku është përfshirë Ljupço Andonovski, babai i ministrit të transformimit digjital në Qeveri – Stefan Andonovski. Kuzeska tha se ministri Stefan Andonovski e ka emëruar babanë e tij këshilltar në Qeveri, ndërsa vëllai i ministrit Stefan, Igor Andonovski, para disa muajsh është emëruar shef i departamentit të Agjencisë për Siguri Kombëtare për qytetin e Shkupit.
BOGDANKA KUZEKSA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Pra, një djalë është ministër në Qeverinë e Mickoskit, tjetri është shef në ASK, dhe babai është këshilltar në Qeveri. Ky është një shembull klasik i nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Ky është turp dhe fyerje për qytetarët. Kërkojmë që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hapë urgjentisht një rast dhe të marrë masa. Ndërkohë që mijëra të rinj dhe të aftë po largohen nga vendi në kërkim të punës, pozitat e larta në institucione janë të rezervuara ekskluzivisht për të afërmit e zyrtarëve aktualë dhe ish-DPMNE”.
Zëdhënësja e partisë opozitare tha se VMRO-DPMNE qytetarëve vazhdimisht u ka premtuar se nuk do të ketë nepotizëm, se nuk do të ketë përkatësi partiake dhe se nuk do të ketë punësime në bazë të lidhjeve, gjë që sipas tyre, kjo vërteton se bie ndesh me atë që e kanë thënë.
Samir Mustafa /SHENJA/