(VIDEO) LSDM fillon procesin e reformave brenda partisë

(VIDEO) LSDM fillon procesin e reformave brenda partisë

Pasi LSDM po kalon në një fazë të vështirë, kreu i kësaj partie Venko Filipçe, po mundohet të freskojë disa pozita me emra të rinj, përveç pozicionit të tij.

Ai njoftoi se ish kandidati për kryetar të komunës së Aerodromit nga radhët e LSDM-së, Aleksandar Trajanovski, do të propozohet për nënkryetar të ri të partisë.

Filipçe e bëri të ditur këtë vendim para mbledhjes së Kryesisë Ekzekutive, ku, siç theksoi, do të paraqiten pjesë të planeve për ndryshime kadrovike dhe politike brenda partisë. Ai u bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve për durim dhe mirëkuptim, duke theksuar se procesi po zhvillohet me kujdes dhe me strategji të qartë.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Dr. Trajanovski është njeri jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj partisë, zhvilloi një fushatë të shkëlqyer dhe të dallueshme dhe tërhoqi vëmendje të madhe në publik. Mendoj se ky është një përforcim i rëndësishëm kadrovik në nivelin drejtues të LSDM-së”.

Ky ndryshim kadrovik vjen pas dorëheqjes së ish-nënkryetares Ana Çupeska, e cila e paraqiti dorëheqjen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.  Filipçe i hodhi poshtë spekulimet se ai u kishte ofruar funksione ish-kryetarëve të komunave dhe ishte refuzuar, duke i quajtur ato “biseda kafeneje” pa asnjë bazë.

“Në parti nuk ka asnjë përçarje. Përkundrazi, ekziston një ndjenjë e fortë uniteti dhe qëllimi të përbashkët”, theksoi lideri i LSDM-së.

Samir Mustafa  /SHENJA/

MARKETING