(VIDEO) LSDM dhe VMRO vazhdojnë me akuzat për përgjimet

Kanë vazhduar edhe sot përplasjet dhe akuzat ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, ku tema përsëri është përgjimet.
VMRO-DPMNE-ja akuzon ish drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare se është zbatuesi kryesor i ndjekjes dhe përgjimit gjatë periudhës derisa me pushtetin ka udhëhequr LSDM. Brane Petrushevski nga VMRO thekson që ndjekja nuk ka mundur të bëhet pa urdhrin e kreut të atëhershëm të pushtetit në krye me Zoran Zaevin, ndërsa plotësisht sipas tij janë të përfshirë edhe kryeprokurori aktual Lupço Kocevski dhe Gjykata Supreme.
BRANE PETRUSHEVSKI,VMRO-DPMNE
“Zbatues kryesor ka qenë Viktor Dimovski dhe i vetëdijshëm për pasojat nga pranimi i LSD-së, në panik mohon dhe ikën nga pasojat e veprimit të tij. Viktor Dimovski, shumë mirë e di se çfarë ka bërë dhe çfarë pasojash penale-ligjore ka. Viktor Dimovski të pranojë se çfarë ka bërë dhe nga cili urdhër i majës së politikës. Ndjekja dhe përgjimi nuk do të ishte e mundshme pa leje direkte nga Zoran Zaev, pasi që tërë sistemi ka qenë i kyçur. Edhe Lupço Kocevski nga Prokuroria, i cili më vonë është zgjedhur për prokuror republikan, edhe Gjykata Supreme”.
Ndërkaq, nga LSDM kërkojnë që të deklasifikohen dokumentet e Agjencisë për Siguri Kombëtare që sipas tyre, të zbardhet e vërteta. Bogdanka Kuzeska, pyet VMRO-DPMNE-në nëse frikësohen nga deklasifikimi që të mos zbulohen, sipas saj, lidhjet e Mickoskit me agjenturat e shteteve armike.
BOGDANKA KUZESKA, LSDM
“Rasti me Agjencinë për Siguri Kombëtare të cilën duan ta paraqesin si aferë, dukshëm me muaj e kanë përgatitur për para zgjedhjeve dhe duhej të ishte ndonjë armatim i tillë, gjegjësisht armë kundër LSDM-së, por u plasi si bombë në dorë. I porosisim qartë dhe me zë- deklasifikoni!Mos prisni asgjë, mos zvarrisni, mos ikni. Le të shohin qytetarët nëse vërtetë është përgjuar kryeministri, cili është përgjuar dhe me kë ka komunikuar ai. A frikësoheni që përmbajtja e këtyre dokumenteve do ta zbulojë të vërtetën, lidhjet e kryeministrit me shërbime të huaja nga shtete armike?”.
Kujtojmë se ka disa ditë që dy partitë më të mëdha maqedonase përplasen për këtë, nga VMRO akuzojnë ish qeverinë se me vite të tëra e kanë përgjuar Mickoskin, ndërsa nga LSDM, kërkojnë që dokumentet të deklasifikohen dhe të del e vërteta në shesh.
Samir Mustafa /SHENJA/