(VIDEO) LSDM dhe VMRO-DPMNE shkëmbejnë akuza për krizën me ujin

(VIDEO) LSDM dhe VMRO-DPMNE shkëmbejnë akuza për krizën me ujin

Cilësia e ujit të pijshëm në Gostivar ka nxitur përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. LSDM akuzon pushtetin se në mbi 50 vendbanime uji nuk është i sigurt për pije dhe se ka reaguar me vonesë. Maja Serafimovska Borozan deklaroi se lista e vendbanimeve të prekura po zgjerohet çdo ditë dhe përmendi Gostivarin, Krushevën, Vallandovën, Bullaçanin, Pllasnicën, Leshkën, Novo Sellën dhe vende të tjera. Sipas LSDM-së, në Gostivar ekziston rrezik për përhapjen e hepatitit A, ndërsa deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Ministri I Shëndetësisë, Sasho Klekovski, janë kontradiktore.

MARKETING

Description of image

MAJA SERAFIMOVSKA BOROZAN, LSDM

“Klekovski thotë se deri në fund të javës uji në Gostivar do të jetë i pijshëm, ndërsa Mickoski flet për një bakter të ri. Ky është një kolaps total institucional”.

LSDM kërkon publikimin e analizave të ujit, përgjegjësi dhe masa urgjente për sigurimin e ujit të pijshëm.

Ndërkaq, VMRO i kundërpërgjigjet duke thënë se problemi është pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të pushtetit lokal të udhëhequr nga LSDM, BDI dhe Arben Taravari. Zëdhënësi Valentin Manasievski prezantoi raporte të viteve 2020–2021, të cilat, sipas tij, tregojnë se uji në Gostivar kishte probleme me cilësinë edhe më herët.

VALENTIN MANASIEVSKI, ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE-së

“Këto janë dokumente që i janë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, por askush nuk ka reaguar. Problemet me cilësinë e ujit janë neglizhuar për vite me radhë”.

Edhe VMRO kërkon përgjegjësi dhe akuzon ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, se nuk ka ndërmarrë masa ndaj këtij problemi./SHENJA/

 

MARKETING