(VIDEO) Ligji i përfaqësimit të drejtë, VLEN e cilëson historik, BDI propagandistik

(VIDEO) Ligji i përfaqësimit të drejtë, VLEN e cilëson historik, BDI propagandistik

VLEN ka njoftuar se gjatë javës që vjen do të kalon në seancë qeveritare Ligji për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në administratën shtetërore dhe publike. Ata thonë se VLEN  do të mbyllë një plagë historike, duke e bërë  atë që BDI s’e bëri për 22 vjet.

MARKETING

VLEN

“Por koha e padrejtësisë po përmbyllet! Gjatë javës që po vjen, historia do të shkruhet në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. VLEN, me guxim dhe përgjegjësi, po e përmbyll një nga pikat më thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit. Institucionet do të detyrohen të sigurojnë përfaqësim të drejtë, pa diskriminim, duke respektuar kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen”.

Reagim lidhur me këtë pati nga BDI, ku nënkryetari i kësaj partie Bujar Osmani ligjin e quan si tallje me përfaqësimin e barabartë. Ai nëpërmjet një shkrimi në rrjete sociale thotë se në tekstin e këtij ligji mungon elementi më thelbësor, mekanizmi detyrues i zbatimit, konkretisht kalkulatori proporcional sipas të dhënave të regjistrimit.

BUJAR OSMANI, NËNKRYETAR I BDI-SË

“Ky kalkulator ka qenë garancia e vetme objektive për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe ka parandaluar diskriminimin dhe arbitrimin politik në punësimet shtetërore. Ligji i ri flet për ‘respektim’, ‘afirmim’, ‘ndjekje’ dhe ‘promovim’ të përfaqësimit të drejtë, por nuk ofron asnjë instrument obligues për ta bërë këtë përfaqësim real dhe të zbatueshëm”.

Osmani thotë se kërkojnë që të rikthehet kalkulatori proporcional si mekanizëm obligativ për çdo punësim në sektorin publik, në përputhje me të dhënat e regjistrimit dhe Kushtetutën e vendit dhe se çdo institucion që nuk respekton përfaqësimin proporcional të ndëshkohet me masa ligjore konkrete, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja dhe përgjegjësi personale të drejtuesve.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING